Lidhje

Tiranë: Sondazh mbi bizneset e vogla. Hapja dhe prodhuesit e mëdhenj


Sipas një sondazhi të revistës “Monitor” me mbi 18 mijë biznese të vogla debitore, pjesa më e madhe e tyre kanë falimentuara aq keq sa nuk kanë të paguajnë detyrime as deri në 500 dollarë.

Drejtuesja e revistës “Monitor”, Ornela Liperi, thotë se në fakt ka dështuar modeli i deritanishëm i ekonomisë shqiptare thjesht tregtuese, me një mori biznesesh të vogla të pafuqishme dhe me pak biznese të mëdha joprodhuese.

“Pjesa më e madhe e bizneseve, mbi 90 për qind e tyre janë biznese mikro me 1 deri në 4 punëtorë. Këto biznese ka ardhur koha që nuk mund të mbijetojnë. Nëse dilni në rrugë, shihni pa fund dyqane të vogla të mbyllura në çdo cep lagje.

Sipërmarrje më të mëdha janë organizuar dhe kanë hapur zinxhir supermarketesh dhe qendrash tregtare. Ky është një model, që nuk sjell më shitje” - thotë zonja Liperi.

Edhe sipërmarrjet e mëdha janë shumica nisma tregtare, shitje nafte të huaj dhe rishpërndarje të mallrave nga importi, që e nxjerrin valutën jashtë, dhe në Shqipëri nuk po ngrihen sipërmarrje prodhuese, që hapin vende pune, siç po bëjnë gjithë vendet e rajonit.

Kryetari i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë, Nikolin Jaka, shpreson që të diskutojë hallet e shumta të biznesit me ministrinë e sapokrijuar të sipërmarrjes, për të siguruar më shumë mbështetje për sipërmarrjet prodhuese dhe një rishikim të sistemit fiskal, sepse Shqipëria i ka taksat më të larta se Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe pothuaj njëlloj sa Serbia.

“Kemi patur një ulje për tvsh-në e turizmit, që është një sinjal jashtëzakonisht pozitiv dhe u prit shumë mirë nga sipërmarrjet e turizmit. Shpresoj të ketë ulje tvsh-je edhe për sektorët e tjerë si agro-përpunimi dhe industritë e tjera të prodhimit të produkteve ushqimore, sepse i jep një frymëmarrje edhe këtyre industrive për t'u zhvilluar dhe për të ecur përpara” - thotë zoti Jaka.

Kjo lloj ekonomie që ka aktualisht Shqipëria nuk është konkurruese dhe aspak e gatshme për hapjen e tregjeve dhe integrime rajonale, pohojnë ekspertët, sepse vendet e rajonit e kanë industrinë dhe bujqësinë më të organizuar se sa Shqipëria.

Zonja Liperi e mendon integrimin ekonomik rajonal si bashkëpunim komplementar, ku secili vend të futet me avantazhet e veta konkurruese, dhe jo të grinden për patatet apo tullat e njëjta, qumështin apo ushqimet e njëjta.

“Shqipëria nuk ishte gati të antarësohej në OBT. Edhe sot asaj i mungon ekonomia e shkallës, nuk ka çmime konkurruese dhe importi e godet. Prandaj ka një tërheqje pas të gjithë industrive përpunuese. Në listën e kompanive më të mëdha nuk ka fare industri përpunuese afatgjata, që të gjenerojnë valutë. Ndërkohë, Shqipëria është një importuese neto në shkallë shumë të lartë. Kemi kaq shumë probleme brenda vendit, saqë hapja me rajonin do të jetë më shumë shkatërruese për bizneset vendase, nëse bëhet kështu si është nisur” - thotë zonja Liperi.

Sektori më problematik aktualisht është industria përpunuese, ndërsa kapitali i ri po shkon sërish të përdoret në sektorin e ndërtimit, i cili është me cikle zhvillimi dhe mund të shterrojë.

Zoti Jaka thotë se Shqipëria duhet të kërkojë subvencione nga BE për bujqësinë e blegtorinë, dhe të bëjë shumë kujdes me nismat për integrime rajonale, sepse secili vend po ruan fizionominë e vet ekonomike.

Sipas tij, bizneset shqiptare mund të falimentojnë nga liberalizimi i tepruar apo hapja e kufijve tregtarë, prej nga vijnë prodhime që i prodhojnë edhe vetë.

“Secili investitor ka të drejtë të kërkojë mbrojtjen e produkteve të veta dhe të prodhimit shqiptar. është mëse normale që kjo është dhe duhet të filozofia e çdo shteti dhe çdo politikëbërje në hartimin e strategjive të zhvilimit ekonomik. Nëse nuk kemi prodhim vendor, kur i kemi potencialet, atëherë mbetemi në varësi totale mbase edhe për produktet e shportës ushqimore” - thotë zoti Jaka.

Qarqet e biznesit dhe vëzhges të ekonomisë thanë se ende në Shqipëri mungojnë masat mbrojtëse ndaj prodhimit vendas, masat të cilat po i ndërmerr çdo shtet hapur apo fshehur.

Nga ana tjetër, bizneset pengohen nga ndryshimi i shpeshtë i ligjeve ekonomike dhe taksave, sepse kështu nuk bëjnë dot plane afatmesme dhe afatgjata.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG