Lidhje

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë, Kosova ka 1.733.872 banorë


Rezultatet e regjistrimit të popullsisë, Kosova ka 1.733.872 banorë
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë, Kosova ka 1.733.872 banorë

Enti i Statistikave të Kosovës publikoi sot rezultatet paraprake të regjistrimit të parë të popullsisë në këto 30 vitet e fundit. Të dhënat e para të këtij procesi, i cili përfundoi në prill të këtij viti, flasin për një numër më të vogël të popullsisë nga ç’ishte vlerësuar deri tash. Krye shefi ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, tha se të regjistrimi përfshinë banorët e përhershëm të 34 komunave të Kosovës.

“Totali 1 milionë e 733 mijë e 872 banorë. Më lejoni të theksoj totalin se rezultati përfshinë të dhënat e 34 komunave. Për shkak të arsyeve objektive regjistrimi nuk ka mundur të bëhet në komunat veriore. Kjo është provuar edhe nga komiteti drejtues i fondit të mirëbesimit të regjistrimit të popullsisë. Enti i Statistikave të Kosovës do të publikojë më vonë vlerësimet edhe për këto komuna”, tha zoti Krasniqi.

Numri i banorëve që jetojnë në Prishtinë është diç me pak se 200 mijë, ndonëse ishte vlerësuar se ky numër duhej të ishte më i lartë. Në regjistrim nuk janë përfshirë banorët që jetojnë jashtë Kosovës.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, e vlerësoi regjistrimin si një prej hapave të rëndësishëm edhe për synimet evropiane të Kosovës, me gjithë faktin se një pjesë e territorit të saj ka mbetur jashtë këtij procesi. Serbët në veriun e Kosovës kanë refuzuar të marrin pjesë në regjistrim.

“Komiteti Drejtues në takimin e fundit ka bërë një deklaratë se në atë pjesë tash për tash nuk mund të bëhet dhe pa marrë parasysh gjithë përpjekjet nuk është garantuar bashkëpunimi i nevojshëm i popullatës të bëhet regjistrimi. Sa i përket edhe çështjes teknike edhe çështjes politike në veri nuk do të bëhet regjistrimi. Për të ardhmen kur të bëhet publikimi i rezultateve përfundimtare, deri atëherë prapë sigurisht do të dëgjohen mendimet tjera, por tash për tash në veri nuk është mbajtur dhe nuk do të mbahet regjistrimi sipas standardeve dhe normave të cilat i kemi aplikuar dhe i kemi aprovuar në komitetin drejtues për regjistrimin e popullsisë”, tha ministri Yagcilar.

Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornson, është i bindur se mospërfshirja e veriut të Kosovës nuk do të ndikojë në vlefshmërinë e regjistrimit të popullsisë.

“Çka mund të themi është, i kam thënë edhe Entit të Statistikave të Kosovës se në vetvete përjashtimi i komunave të veriut nuk do të ketë ndikim në njohjen e përgjithshme të rezultatit të regjistrimit në tërë Kosovën. Përjashtimi i pjesës veriore nuk do të ketë ndikim negativ në legjitimitetin dhe vlefshmërinë e regjistrimit të popullsisë në përgjithësi në Kosovë”, tha zoti Bjornson.

Sipas kryetari të Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Rifat Blaku, në këtë proces janë zbatuar të gjitha rekomandimet e EUROSTAT-it dhe parimet themelore të Kombeve të Bashkuara në fushën e statistikave.

“Qëllimi nga më kryesor i këtij regjistrimi të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave ka qenë prodhimi i të dhënave statistikore, të cilat do të nxirren në tërësi dhe pastaj të krijohet sfondi i popullsisë, ndërtesave dhe banesave. Regjistrimi i popullsisë është baza për krijimin e një kujtese kolektive që dokumenton evolucionin demografik, social dhe ekonomik të një vendi, në këtë rast Kosovës”, tha zoti Blaku.

Kujtesa e Entit të Statistikave të Kosovës, thotë se në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981, Kosova kishte një popullsi prej 1 milion e 584 mije banorësh. Sipas vlerësimeve të vitit 1991 në regjistrimin e bojkotuar nga shqiptarët, Kosova kishte diç më pak se dy milion banorë.

Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, do të bëhen të ditura në vitin 2013, kur pritet të ketë edhe një pasqyrë të përbërjes etnike të popullsisë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG