Lidhje

Rohan: Nuk duhen bisedime të veçanta për veriun e Kosovës


Ambasadori Albert Rohan, ish zëvendës i krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisari, i tha Zërit të Amerikës se çështja e veriut të Kosovës nuk duhet të jetë pjesë e ndonjë procesi të veçantë negociatash, por ajo mund të debatohet në kuadër të bisedimeve aktuale Kosovë - Serbi. Në një intervistë dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Rohan tha se veriu duhet të integrohet në Kosovë në bazë të planit të zotit Ahtisaari i cili siguron një shkallë të lartë të vetëqeverisjes së komunave me shumicë serbe.

Albert Rohan: Kjo çështje i ka dy aspekte. Moszbatimi në veri, që është një çështje e veçantë, ndërsa në pjesën tjetër të vendit është zbatuar gjerësisht. Ka disa gjëra që duhet të bëhen posaçërisht në çështjen e gjuhëve, përkatësisht përdorimin e gjuhës serbe në shenjat topografike dhe gjëra të tilla. Pra, ka disa gjëra që duhet të bëhen por, në përgjithësi, jam i kënaqur.

Zëri i Amerikës: Po të kishit mundësi të rishqyrtonit planin a do të ndryshonit ndonjë gjë?

Albert Rohan: Në përmbajtje jo. Dhe është interesant se askush nuk e ka kritikuar thelbin e planit. Ai është në themelin e pavarësisë së Kosovës dhe për këtë arsye nuk është pranuar nga disa, posaçërisht nga komuniteti serb. Mirëpo, madje as ata nuk i kritikojnë dispozitat. Pra, plani në vetvete është shumë i mirë.

Zëri i Amerikës: Ambasador, kohëve të fundit po diskutohet mundësia e negociatave të reja për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, çështje kjo e cila ishte pjesë e planit tuaj por që nuk është zbatuar. A mendoni se Kosova do të duhej të hynte në një proces të ri negociatash për këtë çështje?

Albert Rohan: Jo nuk mendoj ashtu. Për mua, statusi i veriut nuk mund të diskutohet. Veriu i Kosovës duhet të ri integrohet në strukturat administrative e ligjore të Kosovës dhe plani i Ahtisaarit duhet të zbatohet. Unë kundërshtoj ndarjen, autonominë rajonale për dy arsye. E para, thjeshtë nuk është e arsyeshme të ketë dy lloje të komunitetit serb, një që do të ketë autonomi rajonale dhe një tjetër që nuk do ta ketë në pjesën tjetër të vendit. E dyta, autonomitë rajonale nuk janë të nevojshme, meqë plani i Ahtisaarit siguron të gjitha të drejtat e domosdoshme për komunitetin serb që të administrojnë punët e tyre në nivelin komunal. Ata mund të bashkëpunojnë me komunat tjera dhe mund të krijojnë asociacionin dhe kjo nuk është një dispozitë që ne e kemi shpikur, por është e mbështetur në Kartën e Këshillit të Evropës për vetëqeverisjen lokale. Pra të gjitha komunat mund të krijojnë asociacionin politik dhe të bashkëpunojnë me njëra tjetrën, prandaj autonomitë rajonale nuk janë të nevojshme.

Zëri i Amerikës: Por cila mendoni se është zgjidhja për veriun?

Albert Rohan: Plani i Ahtisaarit. Vetëqeverisja komunale e paraparë në plan. Jam i sigurt se do të arrijmë atje. Ka mjaft rezistencë nga njerëzit që nuk kanë interes për normalizimin e situatës. Pjesa veriore është rajon i mungesës së ligjit. Ato elemente kriminale që kanë mjaft ndikim në udhëheqjen politike, nuk kanë interes. Mendoj se duhet mënjanuar hap pas hapi ato elemente dhe duhet biseduar më qytetarët në veri për t’i bindur ata për aspektet pozitive të planit Ahtisaari, të cilin ata do ta pranojnë sikurse edhe pjesëtarët tjerë të komunitetit serb.

Zëri i Amerikës: A po bënë Prishtina mjaft për t’i bindur ata që të pranojnë këtë plan dhe rrjedhimisht edhe institucionet e saj?

Albert Rohan: Është mjaft e vështirë dhe këtë duhet ta pranojmë. Ju e dini që UNMIK-u nuk ishte në gjendje që për tetë vjet të vendosë kontrollin në veri. Pra është më lehtë të thuhet sesa të bëhet, Nga pikëpamja ime, ky është një projekt kombëtar. Qasja në veri duhet të ushtrohet nga qeveria, nga autoritetet zyrtare, por po ashtu edhe nga partitë politike, partitë opozitare, shoqëria civile mund të luajë një rol mjaft të dobishëm, po ashtu misionet ndërkombëtare duhet të përfshihen dhe mos harroni, serbët që nuk jetojnë në veri të lumit Ibër. Ata po ashtu kanë interes që veriu të integrohet dhe të mbetet pjesë e Kosovës dhe ata mund të luajnë një rol të dobishëm. Unë e shoh këtë si një projekt kombëtar që kërkon kohë, që duhet të zbatohet hap pas hapi dhe është koha që të hidhen nismat dhe që një projekt i tillë të shtyhet përpara me ritëm të shtuar.

Zëri i Amerikës: Cili duhet të jetë roli i Beogradit në këtë proces?

Albert Rohan: Beogradi qartazi është faktor në veri, ai ushtron ndikim dhe financon prandaj në disa aspekte duhet biseduar me Beogradin. Tashmë ka një dialog me Beogradin dhe mendoj se ai duhet të shfrytëzohet për të zgjidhur disa çështje të caktuara. Ta zëmë krimin ndërkufitar që është një çështje me rëndësi për Beogradin dhe Prishtinën. Të dyja palët po humbin para nga taksat e doganat. Pra, ka një interes të përbashkët. Kjo është një çështje që mund të diskutohet në bisedime. Nëse dëshironi të eliminoni krimin, duhet të keni kontroll kufitar. Nuk është logjike nga ana e Serbisë që të lejohen rrugë alternative përreth vendkalimeve kufitare. Ato duhet të mbyllen. Apo, tash kur zgjedhjet lokale që u mbajtën në dy komuna veriore, u cilësuan të paligjshme edhe nga Prishtinë dhe Beogradi. Pra, pse të mos diskutohet rruga e mënjanimit të strukturave të tilla dhe zëvendësimi i tyre me ato të zgjedhura në mënyrë të ligjshme. Pra, ka një varg gjërash që nuk ka nevojë të ketë bisedime të reja të posaçme politike. Çdo çështje teknike në këtë konflikt ka ngjyrime politike. Dhe çdo çështje politike ka rrjedhoja praktike. Pra, tashmë ka një dialog që mund të zhvillohet në nivele të ndryshme dhe nuk ka arsye që gjithmonë të jenë aktorë të njëjtë. Mund të ketë nivele më të larta politike nëse është e nevojshme, por duhet të shfrytëzohet dialogu aktual dhe të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me veriun.

Zëri i Amerikës: Ju sapo përmendët dialogun aktual të ndërmjetësuar nga BE-ja. Çfarë mendoni se do t’u sjellin këto bisedime të dyja palëve, posaçërisht Kosovës, duke pasur parasysh edhe përvojën tuaj me negociatat për statusin?

Albert Rohan: Para së gjithash është më mirë të bisedohet sesa të mos bisedohet, prandaj gjithmonë jam në favor të bisedimeve. Janë çështjet si njohja e diplomave shkollore, regjistrat kadastral e ata civil që nuk duhet të paraqesin problem. Menaxhimi i kufirit për mua është një nga aspektet më të rëndësishme. Pati një marrëveshje e cila ende nuk është zbatuar. Nëse pas rifillimit të bisedimet, që pritet të ndodhin pas krijimit të qeverisë se re në Beograd, me ndihmën e Bashkimit Evropian fillon zbatimi i menaxhimit të kufijve, do të jetë një hap shumë i madh përpara për Kosovën e mbase edhe për Serbinë për të siguruar një kontroll të frytshëm të kufijve. Pra, duhet bërë përpjekje për zbatimin e saj, ndonëse zbatimi nuk po bëhet si duhet për shkak të palës serbe, mirëpo, Kosova e ka Bashkimin Evropian si partner në këtë aspekt dhe besoj se së bashku do të arrijnë rezultate konkrete.

Zëri i Amerikës: Ambasador, a është Kosova në rrugë të mirë drejt proceseve të integrimeve euroatlantike?

Albert Rohan: Për fat të keq ajo është mjaft mbrapa vendeve tjera të rajonit. Janë dy çështje që kanë përparësi. Është liberalizimi i vizave që thjeshtë është e papranueshme që Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk e ka fituar atë. Kjo tashmë është në proces dhe shpresojmë se deri në fund të viti gjërat do të lëvizin. Çështja tjetër është se procesi i stabilizim asocimit filloi edhe në Kosovë. Por, gjërat janë të ngadalshme dhe nuk është faji i Kosovës, por i Bashkimit Evropian dhe posaçërisht faj i faktit të pakuptueshëm se pesë vende ende nuk e kanë njohur Kosovën. Por, pres që gjërat të përparojnë. Ju keni ministër të aftë të çështjeve evropiane e të punëve të jashtme por edhe miq të Kosovë që po ushtrojnë trysni. Ju e dini se edhe në Rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian qartazi është shprehur mbështetja për përfshirjen e Kosovës në procesin e anëtarësimit.

XS
SM
MD
LG