Lidhje

Si zgjidhet kandidati për nënpresident në SHBA


Kur votuesit amerikanë zgjedhin një kandidat presidencial, ata njëkohësisht kanë zgjedhur edhe nënpresidentin. Por cilët janë faktorët që merren parasysh për përzgjedhjen e kandidatit për nënpresident? Të ndjekim materialin.

“E zgjodha këtë person si kandidat për nënpresident sepse dua të ndryshoj Uashingtonin dhe ta kthej Amerikën në rrugën e duhur”.

Kandidati republikan për president Mitt Romney zgjodhi kongresmenin nga Wisconsin Paul Ryan, si kandidat për nënpresident.

Së bashku ata përbëjnë atë që quhet “bileta e zgjedhjeve e nëntorit”.

Zgjedhësit amerikanë votojnë në nëntor për dy persona: njëri për president, tjetri për nënpresident. Sipas traditës kandidati për president zgjedh kandidatin për nënpresident.

Por cila është vlera e kandidatit për nënpresident? Robert Dudley i Universitetit George Mason shpjegon:

“Kjo bëhet për të përmirësuar shanset për zgjedhje, ku edhe një avantazh i vogël mund të përkthehet në një numër të konsiderueshëm votash”.

Përveç aftësisë për të tërhequr vota, një kandidat për nënpresident po ashtu duhet të njohë mirë nivelet e pushtetit në qeverinë federale. Kjo, për arsyen se shumë kandidatë presidencialë në dekadat e fundit nuk kanë qenë njerëz të brendshëm të Uashingtonit.

Në vitin 1980, republikani Ronald Reagan zgjodhi një njeri me shumë përvojë, ish-ambasadorin dhe ish-drejtorin e CIA-s George Herbert Walker Bush, si nënpresident.

Në vitin 1992, guvernatori demokrat nga Arkansasi Bill Clinton zgjodhi Al Gore, i njohur me Uashingtonin. Tetë vjet më pas, Guvernatori republikan nga Teksasi George W. Bush zgjodhi ish-Sekretarin e Mbrojtjes Dick Cheney.

Në vitin 2008, senatori i ri i atëhershëm Barack Obama zgjodhi një njeri me përvojë në Uashington, Senatorin Joe Biden. Presidenti Obama dhe nënpresidenti Biden mbeten kandidatët për rizgjedhje në Shtëpinë e Bardhë.

Vendi i nënpresidentit është përdorur edhe si urë mes brezave ose për tranzicionin mes tyre. Kur George Bush i pari kandidoi për Shtëpinë e Bardhë në vitin 1988, ai zgjodhi Dan Quayle që ishte shumë më i ri për të tërhequr brezin e ashtuquajtur baby boom, të lindurit pas Luftës së Dytë Botërore. Si zoti Clinton, ashtu edhe Gore i takonin këtij brezi.

Me dyshen demokrate e vitit 1984, Senatori Walter Mondale dhe anëtarja e kongresit, Geraldine Ferraro, shënuan herën e parë që një parti kryesore emëronte një grua.

“E pranoj me krenari kandidaturën për nën-presidente të Shteteve të Bashkuara”.

Në vitin 2008, republikanët zgjodhën kandidaten e tyre të parë për nënpresidente, guvernatoren e Alaskës Sarah Palin.

Kur zgjedhjet mbyllen, detyra zyrtare e nënpresidentit të ri është të drejtojë në mënyrë ceremoniale Senatin dhe të hedhë votën përcaktuese nëse është e nevojshme.

Po ashtu, nënpresidenti duhet të jetë i gatshëm të bëhet president, në rast se ky post mbetet i zbrazët për shkak të vdekjes apo ndonjë arsyeje tjetër.
XS
SM
MD
LG