Lidhje

Mitt Romney dhe politika e jashtme


Politika e jashtme konsiderohet si thembra e Akilit e zotit Romney, i cili njihet për përvojë të pasur në biznes

Kandidati republikan për president Mitt Romney njihet për përvojën e tij si drejtues biznesi, por ai është kritikuar shpesh se i mungon përvoja në politikën e jashtme. Dov Zakheim, këshilltar i zotit Romney për politikën e jashtme, dha një intervistë për Zërin e Amerikës, ku diskuton disa nga planet e kanditatit republikan:

Zoti Romney ka thënë se udhëtimi i tij i parë jashtë vendit si president do të jetë në Izrael. Gjatë vizitës që zhvilloi në korrik në këtë vend, ai kritikoi ashpër Presidentin sirian Bashar al-Asad:

“Diktatori në Damask nuk është mik i Izraelit, dhe as i Amerikës. Ai masakron popullin e vet pasi përpiqet të mbajë pushtetin me çdo kusht”.

Forcat siriane të sigurimit dhe kryengritësit vazhdojnë luftimet prej më shumë se një viti. Zoti Romney do të mbështesë kryengritësit, thotë Dov Zakheim, një këshilltar i kandidatit për politikën e jashtme.

“Zoti Romney e ka bërë shumë të qartë se do të bëjë ç’është e nevojshme për t’i armatosur kryengritësit, qoftë me fonde apo me pajisje”.

Gjatë vizitës në Izrael, zoti Romney u shpreh me tone të forta në adresë të udhëheqësve iranianë:

"Ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha mjetet për ta larguar Iranin nga kursi bërthamor dhe shpresojmë që kjo të arrihet me masa diplomatike dhe ekonomike”.

Irani po ndjek një program për pasurimin e uraniumit, që thotë se ka synime paqësore. Zoti Romney thotë se do të garantojë që Irani nuk do të arrijë të prodhojë armë bërthamore, thotë këshilltari:

“Zoti Romney do të shënojë një fillim të ri. Ai do ta bëjë të qartë se nuk lejohet pasurim uraniumi, pa asnjë përjashtim dhe pa dyshim këtë deklaratë do ta pasojë me një angazhim serioz për përdorim force. Por shpresojmë se kjo nuk do të jetë e nevojshme”.

Në kuvendin e Partisë Demokrate, Presidenti Barak Obama u ndal tek mungesa e përvojës e rivalit të tij në politikën e jashtme:

“Pikësëpari nuk duhet cilësuar Rusia si armiku ynë numër një. Ai e bëri këtë cilësim për Rusinë, jo Al-Kaidën, sikur të jemi ende në Luftën e Ftohtë”.


Zoti Romney i është referuar Rusisë me termin “armiku numër një gjeopolitik” i Amerikës.

Në Këshillin e Sigurimit, Rusia ka bllokuar rezolutat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara që synonin të ndalnin luftimet në Siri, si dhe ka kundërshtuar masa më të ashpra për të ndalur ambicjet bërthamore të Iranit:

“Shqetësimi ynë lidhur me Rusinë nuk lidhet me faktin që e shohim si vend armik. Shqetësimi ynë është se Rusia po bën hapa prapa në drejtim të të drejtave të njeriut, në qëndrimin agresiv ndaj fqinjëve”.

Zhvillimi i luftës në Afganistan është një tjetër çështje ku zoti Romney po përpiqet të vërë në dukje dallimet, por jo për sa i përket planit për tërheqjen e forcave ushtarake amerikane brenda vitit 2014.

“Për momentin, viti 2014 është në plan dhe zoti Romney është i përgatitur ta përmbushë këtë plan, nëse ushtria e sheh të arsyeshme”.


Zoti Romney ka thënë vazhdimisht se do ta trajtojë Kinën si manipuluese të valutës, por këshilltari Zakheim thotë se kandidati republikan nuk e konsideron Kinën vend armik.

Në Afrikë, sipas këshilltarit Zakheim, zoti Romney do të vazhdojë programet në mbështetje të zhvillimit dhe shëndetësisë si dhe mbështetjen anti-terroriste.
XS
SM
MD
LG