Lidhje

Romney viziton zonat e goditura nga uragani Isaac


Mit Romney dhe Bobby Jindal vizituan zonën Crown Point të qytetit Lafitte Jean dhe rajone tjera të prekura nga stuhia

Një pjesë e mirë e Nju Orlinsit po kthehet gradualisht në normalitet pas tërheqjes së ujërave nga përmbytjet që shkaktoi uragani Isaac. Megjithatë ka plot banorë që ndeshen me mungesa të furnizimit me karburant dhe detyrën e vështirë të pastrimit të mbetjeve nga uragani. Por në Luiziana ka gjithashtu një numër komunitetesh ku përmbytjet masive janë ende të dukshme. Kandidati republikan presidencial Mit Romney së bashku me guvernatorin republikan të Luizianës Bobby Jindal ishin dje në disa qendra banimi ku rrugët automobilistike ende u ngjajnë lumejve. Intensiteti i përrmbytjeve filloi të zvogëlohej pas goditjes së kësaj zone nga stuhia. Presidenti Barak Obama pritet të vizitojë të hënën rajonet e përmbytura të Luizianës.

Mit Romney dhe Bobby Jindal vizituan zonën Crown Point të qytetit Jean Lafitte dhe rajone tjera të prekura nga stuhia, ku policia tha se u ka kërkuar banorëve të mos ngasin makinat në rrugë sepse trafiku automobilistik shtyn ujin drejt shtëpive.

Zona Crown Point, Jean Lafitte dhe vendbanime tjera përgjatë Gjirit, të cilat janë më larg nga brigjet e Gjirit të Meksikës, janë mësuar me ngritjen e nivelet të ujit të shkaktuar nga uraganet.

Por Isaac, një stuhi relativisht e dobët në krahasim me uraganët Betsy dhe Katrina, pasi preku tokën solli më tepër ujë në këtë rajon se sa ç’pritej. Në ballkonin e një shtëpie ishte varur një parullë ku shkruhej: “Ku janë pritat tona mbrojtëse”. Disa banorë thonë se strukturat e mbrojtjes nga përmbytjet do të bllokonin trafikun ujor, por të tjerët janë të frustruar nga përmbytjet e vazhdueshme.

Michelle Chauncey thotë se qeveria shpenzon kaq shumë para në përgjigje të emergjencave, kur përmbytjet godasin këtë zonë dhe pastaj banorët shpenzojnë aq shumë kohë për pastrimin e rajonit sa që ajo nganjëherë e vë në pikëpyetje vlerën e kanaleve për trafikun ujor.

“Nëse do të merrnim një ndihmë të vogël në fillim dhe të jemi më aktivë, ne nuk do të përballeshim me këtë situatë”.

Zonja Chauncey mbështetet te peshkatarët për furnizimin e biznesit të saj dhe kur stuhitë apo përmbytjet i dëmtojnë biznesin, shkaktohet një efekt domino. Megjithatë, ajo shprehet kurioze për të dëgjuar se çfarë do të ofrojë Romney dhe Obama në lidhje me situatën e saj.

Richard Riley, 45 vjeç, të premten në mëngjes u detyrua të ecte rreth një milje nga shtëpia e tij e përmbytur deri afër zonës Point Crown. Zoti Riley ishte në shtëpi kur ajo u godit nga Uragani Isaac, dhe megjithëse uji ka filluar të largohet, ai vendosi të largohej nga shtëpia. Ai thotë se vizita e zotit Romney dhe presidentit Obama në këtë zonë është “një ide e shkëlqyer”.

“Ai duhet të shohë gjendjen me të cilën po përballemi këtu, pa prita mbrojtëse”.
XS
SM
MD
LG