Lidhje

Romney kritikon politikën e jashtme të Obamës


Dy kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara, sot janë duke zhvilluar fushatë në shtetin e rëndësishëm të Ohios, mes shteteve përcaktuese për fitoren e garës. Anketimet më të fundit tregojnë se të dy kandidatët janë në një garë tepër të ngushtë për zgjedhjet e 6 nëntorit. Ndërkohë, kandidati republikan për president, Mitt Romney tha dje në një fjalim për politikën e jashtme se Presidenti Obama ka dështuar në përpjekjet për të përballuar sfidat globale dhe se Uashingtoni nuk ka luajtur rolin e duhur udhëheqës, duke dobësuar kështu Shtetet e Bashkuara dhe duke u dhënë kurajo armiqve të Amerikës. Siç thuhet në kronikën në vazhdim, Shtëpia e Bardhë nuk i kushtoi rëndësi fjalimit të zotit Romney, duke e cilësuar si një retorikë boshe.

Zoti Romney tha se politika e jashtme e Presidentit Obama është e bazuar në shpresë dhe jo në udhëheqje vendimtare.

“Shpresa nuk është strategji. Ne nuk mund të mbështesim miqtë tanë dhe të mposhtim armiqtë tanë në Lindjen e Mesme kur fjalët tona nuk mbështeten me vepra”.



Ai e vuri theksin tek gjakderdhja në Siri dhe në sulmin vdekjeprurës kundër konsullatës amerikane në Bengazi.

“Është përgjegjësia e presidentit tonë që të shfrytëzojë fuqinë e madhe të Amerikës për të formuar historinë, jo të udhëheqë nga mbrapa, duke e lënë fatin tonë në mëshirën e ngjarrjeve”.

Zoti Romney premtoi një politikë më të ashpër ndaj Iranit nëse zgjidhet president.

“Nuk do të hezitoj të vendosë sanksione të reja kundër Iranit, madje do të forcoj sanksionet që janë tashmë në fuqi. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë Iranit nëpërmjet veprimeve tona dhe jo vetëm fjalëve, se përpjekjet e tyre për të zotëruar armë bërthamore nuk do të tolerohen”.

Zoti Romney premtoi gjithashtu të ruajë fuqinë ushtarake të Amerikës dhe të mbrojë forcat e armatosura nga shkurtimet e mëdha të shpenzimeve, të planifikuara për të filluar vitin e ardhshëm.
Presidenti Obama shpesh citon si sukses vrasjen e Osama bin Ladenit, përfundimin e luftës në Irak dhe përmbysjen e diktaturave në Lindjen e Mesme, pa angazhimin e forcave amerikane të këmbësorisë.
Ja si u shpreh presidenti Obama në Kuvendin e Partisë Demokrate muajin e kaluar:

“Kundërshtari im dhe kandidati republikan për nënpresident janë të rinj në politikën e jashtme, por nga ato që dëgjoj dhe shikoj, ata duan të na kthejnë në kohën e kapardisjes dhe të gabimeve trashanike, që i kushtuan aq shtrenjtë Amerikës".

Një reklamë politike e fushatës së zotit Obama në television nënvlerëson ndërhyrjet e Mitt Romney-it në çështjet globale.

Thirrja e zotit Romney për angazhimin e Shteteve të Bashkuara në çështjet globale mirëpritet nga analisti i politikave të jashtme, Michael O’Hanlon.

“Është e qartë se Lindja e Mesme si një rajon i tërë po kalon nëpër ndryshime, në të cilat Shtetet e Bashkuara kanë aftësi të kufizuara për të ndikuar. Por Romney ka të drejtë kur thotë se ne duhet të përpiqemi, brënda parametrave të ndikimit që kemi, të jemi të efektshëm”.

Por analisti nuk është dakord me të gjitha kritikat e zotit Mr. Romney ndaj politikës së jashtme të Presidentit Obama.

“Është e vërtetë që Irani ka tani shumë më tepër uranium të pasuruar se sa para 3 vjet e gjysëm, ashtu siç kishte më shumë uranium të pasuruar në fund të presidencës Bush krahasuar me fillimin e saj. Ajo që presidenti Obama ka bërë me sukses është zhvillimi dhe forcimi i sanksioneve”.

Por të paktën, Mitt Romney po fut politikën e jashtme dhe rolin e Amerikës në arenën botërore në fushatën presidenciale, e cila deri tani ishte përqëndruar gati tërësisht në çështjet ekonomike.
XS
SM
MD
LG