Lidhje

Akuza kundër kandidatit për senator, Roy Moore


Një kandidat për senator i Alabamës, Roy Moore, është akuzuar për “kontakt fizik të papërshtatshëm” me një vajzë 14 vjeçare rreth katër dekada më parë.

Ngjarja u publikua dje nga “Washington Post” ku një grua me emrin Leigh Corfman, akuzon Moore për kontakt seksual dhe veprime të papërshtatshme me të në vitin 1979.

Sipas zonjës Corfman, zoti Moore, i cili ishte 32 vjeç në atë kohë, e ftoi atë në shtëpinë e tij në një pjesë rurale të Alabamës. Aty ai i kishte thënë asaj se “ishte e bukur”, e më pas e kishte puthur. Sipas rrëfimit të Leigh Corfman për gazetën situata ishte përshkallëzuar në vizitën e dytë kur zoti Moore e kishte zhveshur atë dhe veten.

Në një deklaratë, zoti Moore i mohoi akuzat duke i quajtur "plotësisht të rremë" dhe "një sulm të dëshpëruar politik të Partisë Demokratike dhe Washington Postit gjatë fushatës".

Sipas zotit Moore, nëse pretendimet do të ishin të vërteta, do të kishin dalë gjatë fushatave të tij të mëparshme. "Kjo mbeturinë është përkufizimi i vërtetë i lajmit të rremë", tha ai.

Sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë tha se presidenti Donald Trump beson se zoti Moore "do të bëjë gjënë e duhur dhe të largohet" nëse vërtetohet se akuzat janë të vërteta.

Tre gra të tjera gjithashtu akuzuan zotin Moore për sjellje të papërshtatshme gjatë së njëjtës periudhë kohore. Megjithatë asnjëra prej tyre nuk tha se ai ishte përpjekur për ndonjë marrëdhënie apo kontakt seksual me to. Në ato kohë ato ishin në moshën nga 16 në 18 vjeç.

Udhëheqësi i senatit Mitch McConnell lëshoi dje një deklaratë duke i bërë thirrje zotit Moore të heqë dorë nga zgjedhjet, nëse akuzat janë të vërteta.

"Nëse këto pretendime janë të vërteta, ai duhet të largohet", tha zoti McConnell në një deklaratë zyrtare në emër të të gjithë senatorëve republikanë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG