Lidhje

Rumani, Social demokratët rikthehen në pushtet


Social demokratët e majtë pritet të shpallen zyrtarisht fituesit e zgjedhjeve të përgjithshme në Rumani me një diferencë të konsiderueshme ndaj qendrës së djathtë, Partisë Kombëtarë Liberale, që renditet e dyta. Social demokratët pritet të rikthehen në pushtet pas dorëheqjes së kryeministrit të tyre një vit më parë pas protestave masive për dështim të politikave kundër korrupsionit.

Rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Rumani tregojnë se Partia Social Demokrate, gëzon avantazh të konsiderueshëm, një vit pas një fushate masive Antikorrupsion, që detyroi kryeministrin socialist të largohej nga pushteti.

Autoritetet zgjedhore thonë se social demokratët kanë marrë 47% të votave ndërsa qendra e djathtë, Partia Kombëtare Liberale renditet e dyta me më pak se 21%.

Kryetari i partisë Social Demokrate Liviu Dragnea u shpreh me optimizëm të përmbajtur lidhur me rikthimin e pritshëm të partisë së tij në pushtet.

“Nuk dua ta marr këtë votim lehtë. Nuk do e shoh si dhuratë ndaj dikujt apo ndonjë institucioni, nuk do ta trajtoj atë me indiferencë. Ky rezultat na jep një përgjegjësi të madhe, posaçërisht mua si drejtues i fushatës, programit të qeverisë dhe partisë. Nuk do të luaj me votimin e sotëm”.

Nëse socialdemokratët do të ruajnë kryesimin, zoti Dragnea me shumë gjasë nuk do ta marrë postin e kryeministrit.

Në muajin prill ai u dënua me 2 vjet heqje lirie me kusht nën akuzat për manipulimin e votimeve, për shtimin e numrit të votuesve në referendumin e korrik të vitit 2012 për shkarkimin e presidentit të atëhershëm Traian Basescu.

Presidenti aktual Klaus Iohannis ka refuzuar të emërojë si kryeministër politikanë me probleme ligjore.

Ish kryeministri Victor Ponta dha dorëheqjen pas një proteste masive që pasoi rënien e një zjarrit në një klub nate në tetor ku si pasojë humbën jetën 64 persona.

Sipas sondazheve Bashkimi për një Rumani të Sigurt, një parti e re që bëri fushatë me një platformë antikorrupsion, pritet të dalë e treta duke i dhënë mundësinë të futet në parlament.

Rumania me një popullsi prej 19 milionë banorësh është një nga vendet më të varfëra të Bahskimit Evropian, dhe i perceptuar si një ndër më të korruptuarit.

XS
SM
MD
LG