Lidhje

Fluksi i emigrantëve rumunë dhe bullgarë


Në Britani, ekziston shqetësimi se mijëra rumunë dhe bullgarë do të vijnë në vend, në kërkim të një jete më të mirë, kur të hiqen kufizimet për punësim në fillim të vitit të ardhshëm. Por Ministrja rumune e Punës, druhet se vendi i saj do të vuajë nga e ashtuquajtura rrjedhje e trurit.

Andrei Iosep përfaqësoi Rumaninë në Lojrat Olimpike të Londrës duke luajtur vaterpolo. Ai ka në plan të vendoset në Britani në janar, pasi ekipi britanik i kërkoi që të trajnojë ekipin kombëtar.

Ai thotë se ka ndër mend që të rikthehet në vend, por se do që të përfitojë nga lehtësimi i masave të kontrollit të emigracionit dhe të përmirësojë imazhin e rumunëve jashtë vendit. Atleti thotë se është përballur me diskriminim në Evropë për shkak të kombësisë së tij.

“Para disa vjetësh isha në një klub në Itali dhe po përpiqesha të bisedoja me një vajzë. Ajo më pyeti nga isha dhe kur i thashë se isha nga Rumania, më ktheu kurrizin dhe iku. U trondita dhe u ndjeva shumë keq. Kam pasur disa përvoja të pakëndshme në Evropë. Fakti që trajtoheshim ndryshe nga të tjerët, më indinjonte”.

Megjithëse vendi u anëtarësua në Bashkimin Evropian para gjashtë vjetësh, shumë vetëve ende u duket sikur trajtohen si evropianë dorës së dytë.

Rumunët dhe bullgarët e konsiderojnë veten punëtorë dhe të talentuar, me një anglishte të shkëlqyer që aktualisht kontribuojnë në ekonominë britanike.

Ligjet që kufizojnë llojet e punëve që bëjnë emigrantët nga këtu dy vende, do të lehtësohen nga fillimi i vitit të ardhshëm, në mbështetje të rregullave të Bashkimit Evropian, duke shkaktuar frikë për një rritje të ndjeshme të numrit të atyre që vijnë në Britani.

Por rumunët dhe bullgarët thonë se njoftimet se ata do të përfitojnë të gjitha fondet e asistencës sociale, kur të hiqen kufizimet janë të ekzagjeruara dhe fyese.

Ministrja rumune e punës, Mariana Campeanu thotë se është perspektiva e rrogave më të mira që tërheq shumë vetë në vendet e BE-së dhe se disniveli mes standardit të jetesës në Evropën Perëndimore dhe Rumani, do të thotë se është e vështirë që t’i tërheqësh rumunët me nivel të lartë arsimi, që të kthehen në punët me pagë të ulët në vendin e tyre.

“Për fat të keq, janë rumunët e kualifikuar që shkojnë në këto vende sepse duan rroga më të mira. Jo sepse duan të përfitojnë nga asistenca sociale. Ka shumë rumunë që studiojnë në universitete në gjithë Evropën dhe zakonisht gjejnë punë më të mira atje. Shpresojmë që ekonomia jonë të përmirësohet që të mund t’u ofrojmë rroga më të mira atyre që duan të kthehen”.

Para disa muajsh, organet sensacionale të medias po ngjallnin frikë për një valë të dytë emigrantësh vitin e ardhshëm.

Rumunët e pranojnë se disa nga bashkëkombasit e tyre i kanë dhënë vendit një emër të keq, por këmbëngulin se këto janë raste të rralla.

Daniel Rusu shpreson që të vendoset në Britani dhe të gjejë punë në sektorin e ndërtimit.

“Për fat të keq disa nga këto histori janë të vërteta dhe e kam fjalën për ata që shkojnë në Britani për të lypur, vjedhur, apo nuk kanë ndër mend të gjejnë punë. Ata janë të paktë, por rastet e tyre ndikojnë tek opinioni publik”.

Një raport i botuar në prill të vitit 2013 tregon se numri i rumunëve dhe bullgarëve në Britani është i ulët, por shton se është e vështirë të gjesh shifra të sakta. Sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian, të gjithë qytetarët e zonës kanë të drejtën të qarkullojnë dhe punojnë lirisht në çdo vend të bllokut.
XS
SM
MD
LG