Lidhje

Rusi: Klasa e mesme kërkon transparencë e zgjedhje të drejta


Rusi: Klasa e mesme kërkon transparencë e zgjedhje të drejta
Rusi: Klasa e mesme kërkon transparencë e zgjedhje të drejta

Ditët e fundit në Rusi janë përhapur protesta të bujshme. Dy ditë pas demonstratës më të madhe në Rusi në dy dekada, Presidenti rus Dmitri Medvedev u përgjigj me pak fjalë në Facebook:

Ai shkruante: Nuk jam dakord as me parullat, as me deklaratat e hedhura gjatë protestave.

Brenda pak minutash, lexuesit pyesnin se për cilat parrulla bëhej fjalë; për parullën “Hajdutët të na kthejnë të drejtën e votës” …

…apo parullën “Zgjedhje të drejta për popullin”.

Brenda 24 orësh, më shumë se 12 mijë rusë ishin angazhuar në debat duke hedhur epitete e fyerje si “Turp t’u vijë”. Papritur, klasa e mesme po e thotë me të madhe se nuk e duron më këtë situatë.

Mikhail Morozov, menaxher për shitjet në një biznes, shkoi në protesta me një pankartë ku shkruhej: “Ku është vota ime, magjistarë?”

“Njerëz që nuk votonin kurrë më parë, ose s’donin t’ia dinin për politikën, votuan këtë radhë. Të nesërmen, u ngritën dhe na thanë se vota e tyre s’pati rëndësi. Siç doli, ishin zgjedhur që më parë fituesit. Nuk jemi dakord me këtë rezultat”.

Protesta u zhvilluan në 95 qytete në të gjithë Rusinë.

Evgeniya Chesnikova, një 30-vjeçare që punon si instruktore shahu, erdhi në protesta me lule në dorë, për të simbolizuar shpresën që protestat do të jenë paqësore:

“Erdha në protesta pasi regjimi autokratik i Putinit nuk duhet të ekzistojë më. Është i mbushur me kriminelë e korrupsion”.

Kryeministri Vladimir Putin synon të qëndrojë në pushtet edhe 6 vjet të tjerë, duke siguruar fitore në zgjedhjet presidenciale të marsit. Por këta protestues duan largimin e tij brenda këtij viti.

Dje, Mikhail Prokorov, njeriu i tretë më i pasur në Rusi, dhe pronar i ekipit New Jersey Nets, të basketbollit, njoftoi se do të konkuronte për president.

Masha Lipman, analiste në Qendrën Carnegie të Moskës, thotë se popullariteti i zotit Putin, ka rënë që nga momenti kur ai njoftoi se kishte në plan të ndryshonte postet me Presidentin Medvedev, 3 muaj më parë:

“Putin ka përballë një prirje negative. Njerëzit janë të zemëruar, por njëkohësisht janë të mobilizuar nga suksesi i veprimeve të tyre të përbashkëta. Përkrahja për Putinin po bie, dhe ka qenë në rënie prej disa kohësh”.

Zonja Lipman thotë se kryeministri Putin shpreson se do të arrijë t’u rezistojë protestave deri në Krishtlindje dhe Vit të Ri, kur rusët fillojnë pushimet e dimrit.

“Ndoshta qeveria e ka bërë me plan që t’i lejojë protestuesit të shfryjnë dhe pastaj vijnë pushimet e gjata të janarit”.

Por me daljen në skenë të kandidatëve të rinj presidencialë, kisha e fuqishme ruse po i bën thirrje Kremlinit për zhvillimin e zgjedhjeve të drejta.

Dhe ndërsa aktivistët punojnë pa pushim përmes internetit për të organizuar një valë të re protestash më 24 dhjetor, paqartësi të shumta po lindin për të ardhmen politike të Rusisë.

XS
SM
MD
LG