Lidhje

Rusia dhe përhapja e armëve bërthamore


Ukraina e dorëzoi arsenalin e saj bërthamor ish sovjetik tek Rusia në vitet 1990, në shkëmbim të premtimit që Kremlini do të respektonte sovranitetin e saj.

Tani, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klein, disa ekspertë po pyesin nëse manovrat e Rusisë në Ukrainë mund të minojnë përpjekjet për të ndaluar përhapjen e armëve bërthamore.

Sipas ministrit të Jashtëm francez Laurent Fabius, pushtimi rus i Krimesë shkel premtimin për të respektuar pavarësinë politike të Ukrainës.

Duke u takuar me homologun e tij brazilian, zoti Fabius tha se vendet me armë bërthamore mund të mos duan t’i dorëzojnë ato, ndërsa ato që nuk kanë, mund t’i kërkojnë për të mbrojtur territoret e tyre.

Shumë analistë si James Goldgeier, Dekan i Fakultetit për Shërbimin Ndërkombëtar, në Universitetin Amerikan në Uashington, besojnë se Rusia shkeli Memorandumin e Budapestit të vitit 1994.

“Rusia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara faktikisht garantuan integritetin territorial dhe sovranitetin politik të Ukrainës. Pati një marrëveshje për të mos u përfshirë në beteja ekonomike. Kjo është qartësisht shkelje e asaj marrëveshjeje”, thotë Goldgeier.

Kjo, thotë ai, mund të ketë efekte të frikshme për mospërhapjen e armëve bërthamore.

“Ne po u dërgojmë një sinjal çdo vendi tjetër, që ta mendoj dy herë për të dorëzuar armët bërthamore, apo për të mos ndjekur synimet për t’i prodhuar ato, pasi në se Ukraina do të kishte armë bërthaomre, nuk besoj se rusët të ndërhynin kundër Ukrainës”.

Daryl Kimball, i cili drejton Shoqatën për Kontrollin e Armëve thotë se Budapesti nuk ishte një angazhim i perëndimit për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës me forcë. Megjithatë, thotë ai veprimet e Rusisë mund të nënkuptojnë probleme.

“Mendoj se ky incident, në se nuk trajtohet siç duhet nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia dhe aleatët tanë në Evropë, mund të dobësojë besimin në garancitë e sigurisë që janë dhënë nga grupi P-5”, thotë Kimball.

P-5 janë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, Ukraina nuk donte t’i mbante armët e saj bërthamore, sipas John Haines, me Institutin Kërkimor për Politikat e Jashtme, i cili foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it nga Filadelfia.

“Ky ishte një arsenal që duhej riparuar dhe që do të ishte i vështirë për t’u mirëmbajtur. Ato do të përbënin më shumë një rrezik për Ukrainën”, thotë Haines

Daryl Kimball thotë se vendet që mund të heqin dorë nga armët bërthamore do ta bazojnë vendimin e tyre edhe në faktorë të tjerë:

“Këto vende, që mund të eleminojnë arsenalin e tyre bërthamor, përfshi Korenë e Veriut, do ta marrin këtë vendim bazuar në argumentat që shkojnë përtej një dokumenti politik, që të jep një farë garaci sigurie”.

Zoti Kimball thotë se efektet që lëvizjet e Rusisë kundër Ukrainës do të kenë në përpjekjet për mospërhapjen e armëve bërthamore mbeten për t’u parë.
XS
SM
MD
LG