Lidhje

Kremlini, thirrje për maturi pas vdekjes së 3 vjeçarit


Kremlini u ka bërë thirrje zyrtarëve rusë të tregohen të frenuar në komentet e tyre lidhur me vdekjen e 3-vjeçarit Max Shato, i lindur në Rusi dhe i birësuar nga një çift amerikan. Njoftimet e medias ruse kanë aluduar se fëmija ishte keqtrajtuar dhe ndoshta ishte vrarë nga prindërit që e kishin birësuar.

Në komentet që bëri në televizionin rus, zëdhënësi i presidentit rus Dmitry Peskov tha se nuk ishte me vend të mendohej se vdekja e djalit ishte vrasje, para se të përfundonte procesi hetimor nga autoritetet në Teksas.

Por ai pohoi se mjeku ligjor kishte vërejtur shenja nxirjeje në trupin e djalit dhe shprehu bindjen se zyrtarët do të zbardhin së shpejti shkakun e vdekjes.

Komentet e zëdhënësit Peskov bëhen një javë pas deklaratave sensacionale lidhur me këtë çështje nga zyrtarët rusë. Komisioni Hetimor rus hapi një çështje penale të martën kundër nënës së djalit, një ditë pasi Avokati i të Drejtave të Fëmijëve në Rusi Pavel Astakhov deklaroi se nëna kishte abuzuar djalin.

Këto deklarata tërhoqën në debat edhe ambasadorin amerikan, Michael McFaul, i cili shprehu shqetësim lidhur me aludimet dhe supozimet që po përhapte media ruse lidhur me këtë incident.

Mjekët ligjorë në Teksas nuk kanë përfunduar ende autopsinë e plotë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tre vjeçarit Max Shatto më 21 janar.
XS
SM
MD
LG