Lidhje

Rusia dhe Brexiti

  • Henry Ridgewell

Pas akuzave të shumta për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, po shfaqen dëshmitë e para të përpjekjeve të mundshme të Moskës për të ndikuar në referendumin e Britanisë për largimin nga Bashkimi Evropian. Hulumtuesit kanë identifikuar dhjetëra mijëra llogari të mediave sociale që promovuan mesazhe kundër Bashkimit Evropian ose që kërkuan të rrisnin tensionet politike dhe ato racore.

Në dy ditët e fundit para fitores së fushatës “Largohu” në qershor të vitit 2016, llogari të Twitter-it në Rusi postuan më shumë se 45 mijë mesazhe rreth Brexit-it, shumica, kundër BE-së. Të nesërmen, ato pushuan.

Hulumtimi nga universiteti Berkeley i Kalifornisë, dhe universiteti Swansea i Britanisë tregon se këto llogari, nuk ishin përfshirë më parë në debatin për Brexit-in.

Me daljen e dëshmive të reja, Komisioni Zgjedhor i Britanisë dhe një komision deputetësh, kanë nisur hetime të veçanta.

"Rusia po ndërhyn dhe po përpiqet të minojë besimin e publikut në institucionet politike dhe në mediat kryesore të vendeve perëndimore. Ne duhet ta konsiderojmë përhapjen e lajmeve të rremë, të propaganduar përmes llogarive fallco në Twitter dhe Facebook si një kërcënim real për demokracinë tonë ", thotë Damian Collins, kryetar i komisionit.

Agjencitë amerikane të spiunazhit thonë se Rusia drejtoi një fushatë propagandistike për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka mohuar këtë ndërhyrje. Pas takimit me zotin Putin javën e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump tha se ai e besonte homologun e tij rus.

Duke folur të martën, kryeministrja e Britanisë, kishte një mesazh shumë të ndryshëm për Moskën.

“Rusia po kërkon ta përdorë informacionin si armë... duke i vendosur organizatat e saj shtetërore të medias për të përhapur lajme të rreme dhe imazhe dixhitalisht të ndryshuara, në përpjekje për të krijuar mosmarrëveshje në Perëndim”.

Në një histori të tillë të trilluar, një përdorues i Twitter-it, që pretendonte të ishte nga Teksasi, postoi fotografinë e një gruaje muslimane tek ecte duke injoruar një viktimë të sulmit terrorist të marsit në Westminster. Imazhe të tjera të papara më parë, treguan qartë se gruaja ishte e traumatizuar. Twitter-i ka zbuluar se llogaria vepronte në Rusi.

“Ata e bëjnë këtë për të krijuar tensione racore”, thotë Damian Collins.

Twitter i ka dorëzuar Kongresit amerikan hollësi të gati 3,000 llogarive të lidhura me "Agjencinë e Kërkimit në Internet" të Rusisë, që operon nga kjo ndërtesë në Shën Petersburg, ku mendohet se qindra njerëz krijojnë dhe përhapin propagandë. Nuk janë vetëm njerëzit që punojnë.

Hulumtuesit në universitetin e Londrës kanë zbuluar një rrjet prej 13,500 llogarish automatike në Twitter që vepruan gjatë kohës së votimit për Brexit.

“...këto llogari ‘ri-tweetin’postime, duke përsëritur përmbajtjen e përdoruesve të zakonshëm. Përdoruesit të cilët ishin shumë të polarizuar, ata që postonin mesazhe shumë të njëanshme. Pra nuk është një votues i zakonshëm që po flet për Brexit”, thotë Marco Bastos në universitetin e Londrës.

Kërkimet e universtetit të Londrës nuk panë se ku e kishin origjinën këto llogari automatike.

Por ligjvënësit si në Evropë edhe në Shtetet e Bashkuara duket se po përdorin median sociale për të përhapur përçarje. Twitter dhe Facebook thonë se po bashkëpunojnë me hetuesit, por presioni është në rritje që këto kompani të bëjnë më shumë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG