Lidhje

Karry, Hagel takohen me homologët rusë


Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel zhvilluan takime me Ministrin rus të Punëve të Jashtme Sergei Lavrov dhe Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Zyrtarë të lartë të administratës thonë se Sekretari Kerry ritheksoi zhgënjimin e Uashingtonit lidhur me vendimin e Rusisë për t’i dhënë status azilanti Edward Snowdenit, i kërkuar nën akuzat për nxjerrjen e sekreteve shtetërore.

Zyrtarët thonë se zoti Kerry theksoi qëndrimin amerikan se Snowden do të trajtohej me drejtësi në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të bisedimeve, zoti Kerry u shpreh hapur për marrëdhënien e vështirë mes dy vendeve:

“Marrëdhënia jonë karakterizohet nga interesa të përbashkëta dhe në disa raste nga interesa konfliktuale. Mendoj se jemi realistë për këtë”.

Anthony Cordesman i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se megjithëse çështja Snowden është një temë që ka bërë bujë, qëndrimi rus nuk ishte krejt i papritur:

“Marrëdhënia amerikane me Rusinë nuk është aq e mirë sa të kapërcejë historinë e gjatë ku secili vend nuk i ka dorëzuar vendit tjetër dezertorët”.

Megjithëse disa nga mosmarrëveshjet reflektohen në media, zyrtarët amerikanë thonë se toni i takimeve mbetet pozitiv dhe konstruktiv.

Në komentet në ambasadën ruse në Uashington pas bisedimeve, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov shprehu të njëjtin mendim:

“Është e qartë se nuk po fillon Lufta e Ftohtë. Nuk do të ketë acarime”.

Zoti Lavrov shtoi se dy vendet kanë rënë dakord të zhvillojnë një tjetër konferencë për paqen në Siri sa më parë që të jetë e mundur. Rusia mbështet qeverinë e Presidentit sirian Bashar al-Assad, ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin opozitën siriane.

Ende nuk është caktuar një datë për bisedimet e propozuara dhe zoti Cordesman e përshkruan rolin e dy vendeve në luftën civile si minimal:

“Megjithë zhurmën që bëhet për rolin amerikan, apo rolin rus, 90 për qind e të ardhmes së Sirisë është në duart e sirianëve”.

Zyrtarët amerikanë thonë se diplomatët diskutuan edhe mospajtime të tjera. Rusia është e revoltuar nga planet amerikane për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga qëndrimi i Rusisë ndaj të drejtave të njeriut. Dy zyrtarët rusë shprehën gjithashtu pakënaqësi lidhur me anulimin e takimit mes Presidentit Obama dhe Presidentit Putin.
XS
SM
MD
LG