Lidhje

Zbulimet e reja të hetimit mbi rolin e Rusisë në zgjedhje


Uashingtoni po ndjek me mjaft interes gjetjet e reja në kuadër të hetimit rreth përfshirjes së Rusisë në zgjedhje që lidhen me ish-kreun e fushatës presidenciale të zotit Donald Trump si dhe ish-avokatin e tij personal të bëra publike në dokumente gjyqësore. Paul Mandafort dhe Michael Cohen kanë pranuar fajësinë për një numër krimesh federale duke u ofruar informacion prokurorëve. Presidenti Dondal Trump vazhdon të mohojë se ka shkelur ligjin.

Asnjë prej informacioneve të prokurorisë që iu vu në dispozicion publikut të premten nuk i përgjigjej pyetjes thelbësore të hetimit mbi Rusisë, nëse Donald Trump-i ka bashkëpunuar me Moskën për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Por ato përmbajnë një numër të madh pohimesh.

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller akuzon ish-kryetarin e fushatës së zotit Trump, Paul Manafort-in se ka gënjyer në lidhje me kontaktet që ka patur me një operativ rus si dhe kontaktet e tij me zyrtarët e administratës Trump. Dokumenti është tejet i redaktuar, çka sugjeron publikimin e më shumë informacione mbi këtë çështje.

Zoti Mueller pohon se ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen ka dhënë detaje lidhur me marrëdhëniet e biznesit të zotit Trump me Rusinë përpara fushatës së vitit 2016, si dhe mbi gënjeshtrat e përsëritura të tij ndaj Kongresit me qëllimin për të mbrojtur zotin Trump nga një shqyrtim i mundshëm.

Në raport prokurorët federal thonë se zoti Cohen ka paguar dy gra me qëllimin për të shuar pretendimet mbi takimeve të natyrës seksuale me zotin Trump. Sipas deklaratës thuhet se zoti Cohen veproi me urdhër të zotit Trump në shkelje të ligjit për financimin e fushatës.

"Jemi shumë të lumtur me atë që po lexojmë, sepse nuk kishte asnjë lloj marrëveshjeje të fshehtë. Nuk ka patur kurrë. Gjëja e fundit që do të kisha dashur do të kishte qënë ndihma nga Rusia gjatë fushatës," tha Presidenti Donald Trump.

Por ligjvënësit e të dyja partive nuk i bënë jehonë qasjes së presidentit ndaj raportit. Në një postim në twitter senatori demokrat Richard Blumenthal shkruante se prokurorët "besojnë se zoti Trump ka marrë pjesë në një krim që luajti një rol thelbësor në zgjedhjen e tij".

"Nuk ka asnjë mënyrë për ta ndryshuar këtë gjë. Ky nuk ka qenë një zhvillim pozitiv për njerëzit që janë të përfshirë në këtë. ", thotë senatori republikan Marco Rubio.

Sipas zoti Rubio pëpjekjet për zbardhjen e plotë të së vërtetës duhet të vazhdojnë.

"Ajo çka duam për këtë vend është nxjerrja e të gjitha fakteve dhe e gjithë së vërtetës. Unë e kam mbështetur gjithmonë hetimin e zotit Mueller dhe do të vazhdoj ta bëj, sepse mendoj se është në interesin më të mirë të të gjithë palëve të përfshira, duke përfshirë edhe presidentin në shumë prej këtyre çështjeve".

Edhe demokratët pajtohen me këtë qëndrim.

"Mendoj se është e rëndësishme për ne që të marrim raportin e plotë nga Prokurori i Posaçëm. Por le të jemi të qartë, kemi arritur një nivel të ri të hetimit. Prokurori i Posaçëm po nis të tregojë çfarë di dhe këto janë akuza shumë serioze. Ky është një president i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në një komplot, por që ndaj tij nuk është ngritur aktakuzë. Pohohet është se ai ka kryer së paku dy shkelje penale në përpjekje për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2016," thotë senatori demokrat Chris Murphy

Zoti Murphy është një nga ligjvënësit që mbështet ligjin që do ta bënte më të vështirë për zotin Trump të shkarkonte Prokurorin e Posaçëm Mueller i cili po udhëheq hetimin për Rusisë që nga maji i vitit 2017.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG