Lidhje

Ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor


Studiuesit e çështjeve diplomatike pohojnë se Rusia po përpiqet të shtojë ndikimin e vet në Ballkanin Perëndimor për të ngadalësuar zgjerimin e BE-së dhe NATO-s në këtë rajon. Analistët mendojnë se Rusia po ndjek një strategji tensioni, duke krijuar probleme në Ballkan, për t'i dhënë rëndësi vetes si faktor në tryezat e bisedimeve ndërkombëtare. Ata theksojnë se pothuaj gjithë shtetet e kësaj zone kanë nisur rrugën e integrimeve euro-atlantike, e cila tani duhet përshpejtuar.

Studiuesit e diplomacisë në Tiranë pohojnë se Moska po shfrytëzon vonesat e integrimit euro-atlantik të vendeve ballkanike për t'u faktorizuar në rajon. Ish-ministri i jashtëm, Arjan Starova, drejtues i organizatës së Atlantistëve të Shqipërisë, thotë se Rusia ka ndikimin e vet në Ballkan dhe punon për ta zgjeruar atë përkundër NATO-s dhe BE-së, duke këmbëngulur që të pyetet për çështjet europiane dhe botërore.

“Rusia është duke përsëritur një gabim të vjetër të Bashkimit Sovjetik të kaluar, që përpiqet ta ndërtojë fuqinë e saj për të ndikuar në botë vetëm mbi rritjen e potencialeve ushtarake. Ajo mendon që duke patur, duke investuar shumë në potencialin e saj ushtarak, atëherë do të mundet të ndikojë në botë. Por unë mendoj se përpara se fuqia e vendeve të lidhet me potencialin ushtarak ajo lidhet me potencialin e tre ekonomik”, thotë zoti Starova.

Analistët pohojnë se fillimisht Rusia u përpoq të ndikojë në ekonominë e Ballkanit përmes projekteve energjitike me SouthStream dhe TurkishStream. Por pas ngjarjeve në Ukrainë interesimi i Rusisë për Ballkanin mori një karakter ushtarak dhe ajo po përdor si bazë Serbinë për qëllimet e veta në rajon. - thotë diplomati Shaban Murati, autor i librit “Rusia Ballkanike”.

“Vështirësitë që hasen në integrimin e atlantik të Malit të Zi, vështirësitë që hasen në integrimin e atlantik të Maqedonisë - ku në pamje të parë duket se është vetëm çështja e emrit - Vështirësitë që hasen në procesin e integrimit euro-atlantik të Bosnje Hercegovinës me qëndrimin ultra-radikal ekstremist të Sërpska Republikës, e cila është natyrisht një instrument i Serbisë - pavarëisht paraqitjes si pjesë e federatës - tregojnë që rusët filluan të aktivizohen akoma më tepër”, thotë zoti Murati.

Rusia ka përdorur veton kundër Kosovës në OKB dikur dhe sot në Unesco po lobon fort kundër saj. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Islam Lauka, tani pedagog në Universitet, thotë se ndikimi rus është i ndjeshëm edhe në veri të Kosovës tek elementët radikalë. Ai thotë se Rusia e mendon si pikë të dobët Ballkanin perëndimor, dhe shfrytëzon sidomos demokracitë e brishta dhe institucionet e pakonsoliduara në disa vende të rajonit.

“Ndikimi rus synon që të rritet, synon që të zgjerohet nëpërmjet shumë formave; nëpërmjet korrupsionit, parave, ushtrimit të presioneve ekonomike, shfrytëzimit të disa instrumenteve, që Moska i ka, si vetoja për shembull”, thotë zoti Lauka.

Analistët pohojnë se i gjithë Ballkani e ka përcaktuar rrugën e integrimit euro-atlantik. Sipas tyre, asnjë segment në rajon nuk mbështetet hapur tek faktori rus, ndërsa nostlagjikët të rinj apo të vjetër në moshë janë shumë të pakët në raport me pjesën tjetër që synon integrimin, si Mal të Zi ashtu edhe në Maqedoni.

“Mendoj që edhe gjendja në Maqedoni dhe problemet e brendshme të saj ndikohen në një farë mënyre nga ngadalësimi i antarësimit dhe i përpjekjeve për anëtarsim të Maqedonisë në NATO. Unë mendoj si NATO dhe BE duhet të jenë më aktive dhe të ecin me ritme më të përshpejtuara për integrimin e këtyre vendeve në gjirin e tyre”, thotë zoti Starova.

Për të ndikuar në Ballkan rusët po përdorin edhe faktorin fetar, si lidhjet pansllaviste edhe vëllazërinë e vendeve ortodokse. Studiuesi Shaban Murati thotë se ata nuk kursehen as me stërvitjet e përbashkëta desantuese me Serbinë, as me mbështetjen e opozitës malazeze, as me zvarritjen e problemit 20 vjeçar për emrin e Maqedonisë, Madje, sipas tij, Rusia nuk po kursehet për të ndikuar edhe në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s dhe përherë më pranë BE-së.

“Pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë dhe sidomos pas ndërhyrjes ruse në Siri në Lindjen e Mesme shohim që ka një përpjekje të diplomacisë ruse për një influencë edhe në Shqipëri edhe në zonat ku janë shqiptarët. Por meqë jemi në Shqipëri, po flas për shtetin tonë. Kjo ka forma të ndryshme sponsorizimi. Nga një analizë e vëmendshme, konstatohet 4 ose 5 muajt e fundit një valë që do ta quaja edhe filo-rusizimi edhe anti-amerikanizmi, e cila është shprehur sidomos në disa media shqiptare. Intensiteti, frekuenca dhe sidomos vazhdimësia e saj tregojnë se është një rrymë e sponsorizuar”, thotë zoti Murati.

Studiuesit pohojnë se ndikimi rus në Ballkan nuk ka për të qenë afatgjatë, por Moska synon të krijojë vatra tensioni dhe ndikimi për t'i dhënë rëndësi pranisë së saj. Ambasadori Lauka thotë se SHBA dhe BE duhet t'u bindë Athinën dhe Shkupin për të zgjidhur çështjen e emrit të Maqedonisë, e ndërkohë duhet zgjeruar njohja e Republikës së Kosovës dhe përmirësimi i jetës së saj.

“Një problem shumë i rëndësishëm është njohja e Kosovës nga 5 vende të Europës. Po ashtu liberalizimi i vizave për Kosovën, sepse për fat të keq, shqiptarët e Kosovës janë si në geto. Janë të vetmit, është i vetmi vend që ka mbetur kështu, që duhet të ishin ndër të parët në fakt për ato sakrifica që kanë bërë, për ato vuajtje që kanë kaluar, të paktën duhej të lëviznin lirisht”, thotë zoti Lauka.

Analistët pohojnë se pavarësisht ndonjë luhatje, vendet e Ballkanit shikojnë nga Perëndimi. Maqedonia dhe Mali i Zi mund të ishin antarësuar në NATO para disa vjetësh, sepse, sipas tyre, Rusia mund të përfitojë nga çdo vonesë dhe pasiguri në rajon.

Ndikimi i Rusisë në Ballkan
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:13 0:00

XS
SM
MD
LG