Lidhje

Rusia dhe e djathta ekstreme europiane


Partia e ekstremit të djathtë francez Fronti Kombëtar pranoi se ka marrë një hua prej miliona dollarësh nga një bankë e kontrolluar nga Rusia. Kjo është një tjetër provë për lidhjet e shtuara të Kremlinit me grupimet e të djathtës ekstreme në të gjithë Evropën. Ky njoftim erdhi pasi qeveria franceze shtyu pa afat një kontratë për prodhimin e dy luftanijeve për Rusinë.

Franca po prodhon dy luftanije për helikopterët rusë, por sipas një deklarate të zyrës së presidentit francez, dorëzimi i tyre nuk është i mundur për shkak të situatës në Ukrainë.

Partia e ekstremit të djathtë francez, Fronti Kombëtar, që sipas sondazheve të fundit është partia më popullore në Francë, ka bërë lobing në favor të përmbushjes së kontratës.

“Pozicioni ynë është në mbrojtje të industrisë sonë, dhe të së drejtës sonë për tregëti me cilindo vend të dëshirojmë.”

Udhëheqësja e Frontit Kombëtar, Marine Le Penn, është një vizitore e rregullt e Moskës. Ajo pranoi se partia ka marrë 11 milionë dollarë hua nga bankë me pronësi ruse, Banka e Parë Ruso-Çeke.

Mbështetja e partive të ekstremit të djathtë që kundërshtojnë Bashkimin Evropian, është pjesë e strategjisë së Kremlinit, thotë Neil Barnett, një studiues i Qendrës për Studimin e Politikave në Londër.

“Qëllimi është përçarja e vendeve evropiane dhe qeverive të tyre brenda për brenda Bashkimit Evropian. Dhe më gjerë, për të përçarë lidhjet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Sjellja në pushtet e forcave politike radikale në vendet kryesore të BE-së është një kontribut thelbësor në këtë drejtim.”

Në fillim të muajit nëntor, rebelët pro-rusë zhvilluan zgjedhje në pjesët lindore të Ukrainës, zgjedhje të cilat perëndimi i konsideron të paligjshme. Por, shumë parti ekstreme në Evropë pranuan ftesën të marrin pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve.

“Ajo që vëmë re prej listës së vëzhguesve të sjellë prej rusëve në Krime dhe më vonë në Donetsk dhe Luhansk, është se ka një sërë lëvizjesh të djathta evropiane të cilat simpatizojnë Rusinë.”

Ndër to ishte edhe partia e së djathtës ekstreme të Hungarisë, Jobbik, e cila kërkon kampe përqëndrimi për romët, dhe që beson se hebrenjtë përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare.

Të pranishme ishin gjithashtu, partia italiane Forza Italia, ajo bullgare Ataka, dhe Partia Komuniste e Greqisë. Sipas zoti Barnett, ka gjasa që këto parti po marrin fonde nga Rusia.

“Kjo është realisht një çështje për shërbimet e zbulimit. Pagesat që janë bërë, përgjithësisht do të jenë kryer nëpërmjet palëve të treta të fshehura.”

Këto akuza ngrihen ndërkohë që marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Evropës po përkeqësohen ndjeshëm për shkak të Ukrainës.

Ministri rus i Financave u shpreh se sanksionet e perëndimit, së bashku me rënien e çmimeve të naftës, do t’i kushtojnë Rusisë deri në 140 miliardë dollarë në vit. Presidenti rus Vladimir Putin po e përdor vështirësinë ekonomike për të ushqyer ndjenjat anti-perëndimore, thotë Nicholas Redman i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Po i jepet terren i plotë ndjenjave anti-amerikane. Disa njerëz që e kundërshtojnë këtë gjë po klasifikohen si tradhëtarë. Shoqëria është futur në një lloj gjendjeje të shtirur lufte.”

Ndërkohë që kjo luftë ekonomike po shtohet, analistët thonë se Rusia po shfrytëzon mundësinë e një destabiliteti politik në Evropë.

XS
SM
MD
LG