Lidhje

Një tank i ri rus


Rusia është duke demonstruar tankun e saj të ri, Armata T-14. Projektuesit pretendojnë se ai është 20 vite përpara tipeve aktuale në Perëndim, dhe se të drejtosh këtë tank është si një videolojë. Por, analistët ushtarakë i vënë në pikëpyetje këto pretendime, dhe paralajmërojnë se kostoja mund të jetë shumë e lartë për ekonominë ruse në vështirësi.

Është pioneri i modernizimit ushtarak të Rusisë me kosto disa miliardë dollarëshe. Tanku Armata u shfaq muajin e kaluar gjatë festimeve të Ditës së Fitores.

Projektuesi i tij, Andrei Terlikov hotë se Armata përmban teknologji tepër të zhvilluar, përfshirë dhe një kupolë pa njeri.

“Niveli i automatizimit, avantazhi teknologjik që krijuam, përfaqësojnë një hap të vendosur drejt makinerive pa njerëz.”

Rusia pretendon se Armata ka një të ashtuquajtur mbrojtje vetëreaguese, dhe se është në gjendje të përballojë të gjitha llojet e predhave anti-tank që posedon NATO.

"Tanku ka një mbrojtje aktive që mund të gjenerojë kundër-impakt ndaj predhës së armikut, të përllogarisë vendin ku do të godasë dhe të minimizojë efektin e saj, ose ta shkatërrojë plotësisht me armë mbrojtëse”, thotë zoti Terlikov.

Projektuesit e krahasojnë drejtimin e këtij tanku me një lojë kompjuteri.

“Filozofia e re e këtyre makinerive është se kanë një modul beteje të kontrollimit në distancë, kanale me spektër të gjerë, algoritme të reja, dhe për tankistët është si të luajnë një lojë kompjuteri. Atyre u mbetet vetëm të marrin disa vendime dhe të finalizojnë veprimet”, thotë projektuesi Demchenko.

Henry Boyd, i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, thotë se marketingu i paisjeve ushtarake duhet të merret gjithnjë me një shkallë skepticizmi.

“Për ta krahasuar me tanket perëndimore mendoj se duhet më shumë kohë. Ambicja është tepër e lartë. Por kostot do ta pengojnë.”

Kostoja vlerësohet në 8 milionë dollarë për tank, e barabartë me një avion luftarak. Por, sanksionet ndaj Rusisë për ndërhyrjen në Ukrainë dhe rënia e çmimit të naftës e kanë goditur rëndë ekonominë.

“Viti i prodhimit është caktuar 2018-ta dhe nuk i dihet nëse do ja arrijnë.”

Zoti Boyd thotë se nuk ka gjasa që tanku Armata T-14 të hyjë në fushëbetejë në Ukrainë. Por, ai thotë se doktrina gjeopolitike e Presidentit Putin do të luajë një rol të madh në zhvillimin e këtij tanku.

“Nuk ka gjasa ta shikojmë T-14-ën në frontet e ndërhyrjeve ruse në të ardhmen e afërt.”

Moska mohon se është e përfshirë në konfliktin e Ukrainës lindore. Por, vendet fqinje të Rusisë, si dhe NATO, do ta vëzhgojnë zhvillimin e Armatës nga afër, ndërkohë që Presidenti Putin kërkon të modernizojë forcat e mëdha të armatosura të vendit.

XS
SM
MD
LG