Lidhje

Rusia do të hapë zyrën e ministrisë së Mbrojtjes në Serbi


Rusia ka autorizuar ministrinë e saj të Mbrojtjes që të hapë një zyrë në Serbi, raportoi agjencia e lajmeve Reuters duke ju referuar një dokumenti qeveritar, ndërsa po përpiqet të zgjerojë lidhjet ushtarake me aleatin e saj tradicional në Ballkan, ndonëse Beogradi kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Muajin e kaluar Serbia pezulloi stërvitjet ushtarake më trupat e huaja për gjashtë muajsh, duke theksuar se është vënë nën trysninë e Bashkimit Evropian që të tërhiqet nga stërvitjet e përbashkëta me Rusnë dhe Bjellorusinë.

Urdhri i qeverisë ruse për hapjen e zyrës në Serbi që daton nga 15 tetori dhe është nënshkruar nga kryeministri rus, Mikhail Mishustin, parasheh që shefi i zyrës së propozuar do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve ushtarake dhe teknike, në kuadër të bashkëpunimit ruso-serb.

Marrëveshja, pasi të jetë nënshkruar nga të dyja palët, do t'i jepte zyrtarit rus në Serbi të drejtën për të vizituar divizionet serbe që përdorin armë dhe pajisje ushtarake ruse, pasi të ketë bërë njoftim paraprak dhe të ketë marrë pëlqimin.

Në një deklaratë të shkurtër të martën, ministria e mbrojtjes e Serbisë tha se "një procedurë ligjore që i paraprin përfundimit të marrëveshjes" tashmë ishte nisur.

Serbia, ushtria e së cilës përdor kryesisht teknologjinë ish sovjetike të armatimeve, ka blerë avionë ushtarak MiG-29 si dhe helikopterë Mi-35, tanke T-72 dhe transportues të blinduar nga Rusia përgjatë viteve të fundit.

Më 10 tetor, në një shfaqje të fuqisë së ripërtërirë ushtarake, Serbia zhvilloi një stërvitje të madhe duke demonstruar përdorimin e armëve të prodhuara nga Rusia, përfshirë sistemin kundërajror Pantsir. Ajo përdori gjithashtu dronë ushtarak të blerë kohët e fundit nga Kina.

Serbia po përpiqet të balancojë ambicien e saj për t’u integruar në BE me lidhjet tradicionale me Rusinë dhe Kinën, të cilat mbështesin refuzimin e saj për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Rusia, po përpiqet të mbajë Serbinë brenda sferës së saj të ndikimit gjeopolitik dhe hapja e zyrës së ministrisë së Mbrojtjes është një sinjal i qëllimit të Moskës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG