Lidhje

SHBA: veprimi i Rusisë ndaj anijeve të Ukrainës, akt agresioni


Ukraina thotë se Rusia ka filluar të lejojë disa anije të hyjnë në portet e Ukrainës në Detin Azov, një veprim që mund të sinjalizojë lehtësimin e tensioneve në rajon.

Në një deklaratë të martën, që atribuohet Ministrit të Infrastrukturës Volodymyr Omelyan, thuhet se portet Berdyansk dhe Mariupol janë zhbllokuar pjesërisht dhe se anijet janë duke kaluar nëpër ngushticën Kerch për në portet ukrainase.

Ministri ukrainas citohet të ketë thënë se shpreson që portet do të zhbllokohen plotësisht në ditët e ardhshme.

Ukraina ka fajësuar Rusinë për ndalimin e lëvizjes së dhjetra anijeve përmes ngushticës që lidh Detin e Zi me atë të Azovit.

Rusia deklaroi kontrollin e ngushticës, pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Ukraina.

Tensionet mes Kievit dhe Moskës u shkallëzuan javën e kaluar, kur rojet ruse të kufirit qëlluan në drejtim të tre anijeve të marinës ukrainase pranë gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia. Anijet me ekupiazhin e tyre u kapën nga rusët.

Ukraina i vuri në gjendje gatishmërie forcat e saj dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në rajonet kufitare, pas konfrontimit ushtarak.

Por Shtetet e Bashkuara thanë të martën se “edhe një bllokim i pjesshëm është i papranueshëm”, bazuar si në ligjin ndërkombëtar dhe tek detyrimet e Rusisë, sipas marrëveshjes me Ukrainën mbi përdorimin e ngushticës Kerch. Ajo është e vetmja rrugë kalimi për në Detin e Zi dhe në Detin Azov, që kontrollohet si nga Rusia, edhe nga Ukraina.

SHBA po punojnë nga afër me aleatët europianë për të marrë masa ndaj Rusisë pas incidentit të 25 nëntorit. Për këtë çështje komentoi një zyrtar i Departamentit të Shtetit.

Zyrtari i tha gazetarëve se gjatë takimit në Këshillit të Atlantikut Verior për çështjen e sigurisë në Detin e Zi, Shtetet e Bashkuara përsëritën se e dënojnë veprimin e Rusisë si një akt agresioni, se Krimeja është pjesë e Ukrainës dhe se sjellja e Rusisë në ngushticën Kerch përbën një shkallëzim të qartë ushtarak dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të lirisë së lundrimit.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG