Lidhje

Rusia tërhiqet nga traktati për armët bërthamore


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po reagojnë me lëvizje të njëpasnjëshme për sa i përket traktatit të armëve bërthamore. Politikanët dhe analistët e shikojnë këtë si një rigjallërim të garës për armatim. Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi dje se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin INF, të nëshkruar gjatë Luftës së Ftohtë, për armatimin bërthamor me rreze të mesme.

Lëvizja ruse pason hapin e ngjashëm të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të premten.

“Do të veprojmë në këtë mënyrë. Përgjigja jonë do të jetë simetrike. Partnerët amerikanë deklaruan se do të ndalin pjesëmarrjen e tyre në traktatin INF, kështu që edhe ne do të ndalemi. Ata deklaruan se zhvillojnë armë të reja dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, tha Presidenti rus Putin.

Zoti Putin tha se Rusia nuk do t’i pozicionojë këto armë, nëse SHBA-ja nuk ndërmerr një veprim të ngjashëm.

“Rusia nuk do të pozicionojë armë të reja me rreze të shkurtër dhe të mesme, as në Evropë dhe as në rajone të tjera të botës, përderisa Amerika nuk do të pozicionojë armë të ngjashme në këto zona”, tha zoti Putin.

Presidenti rus tha se ka udhëzuar ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të mos iniciojnë bisedime me Uashingtonin për këtë çështje.

Gjatë një deklarate të bërë dje, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara po pezullojnë zbatimin e traktatin që kanë qenë në fuqi prej dekadash, duke akuzuar Kremlinin se e ka shkelur atë qëllimisht.

“Për një periudhë tepër të gjatë, Rusia ka shkelur pa u ndëshkuar Traktatin për Armët Bërthamore me Rreze të Mesme, duke zhvilluar fshehurazi dhe duke pozicionuar një sistem të ndaluar raketash që kërcënon drejtpërsëdrejti aleatët dhe forcat tona ushtarake jashtë vendit”, tha Presidenti Trump. “Ne nuk do t’i përmbahemi kushteve të traktatit, ndërkohë që Rusia gënjen për veprimet e saj”.

Por, duke folur më vonë me gazetarët, Presidenti Trump la të hapur mundësinë e një lloj marrëveshjeje.

“Shpresoj të mblidhemi të gjithë në një sallë të madhe dhe të bukur dhe të arrijmë një marrëveshje të re që do të ishte shumë më e mirë. Do të pëlqente shumë të shikoja diçka të tillë, por duhet të bien të gjithë dakort”, tha ai.

Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi sot se Pekini është kundër tërheqjes së Uashingtonit nga traktati dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të menaxhojnë qëndrimet e tyre të ndryshme përmes një dialogu konstruktiv.

Traktati INF, i nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1987, ishte marrëveshja e parë në botë që ndaloi një klasë të tërë armësh, më saktësisht raketat e lëshuara nga platforma tokësore që mund të arrijnë një rreze veprimi nga 500 deri në 5500 kilometrash.

Shkeljet e traktatit INF

Shtetet e Bashkuara kanë folur gjithnjë e më haptazi për ato që i quan shkelje flagrante të Rusisë.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes dhe të zbulimit thonë se shkeljet janë shfaqur që në vitin 2014, kur Rusia filloi dislokimin e raketave 9M729, pas vitesh testimi në shmangie të kufizimeve të përcaktuara nga traktati.

Zyrtarët thonë se tashmë Rusia po pajis batalione të shumta ushtarake me këtë lloj rakete.

“Ne duhet të reagojmë”, u tha të premten gazetarëve Sekretari i Shtetit Mike Pompeo. “Nuk mund t’i përmbahemi më traktatit, ndërsa Rusia po e shkel atë paturpësisht”.

Shtetet e Bashkuara i dorëzojnë sot Kremlinit dhe vendeve të tjera që kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, njoftimin zyrtar për synimin për t’u tërhequr nga traktati INF, duke shënuar kështu edhe fillimin e periudhës tranzitore 6-mujore të parashikuar në marrëveshje.

Zyrtarë thonë se nëse Moska refuzon të shkatërrojë raketat, traktati do të marrë fund dhe SHBA-ja do të jetë në gjendje të zhvillojë sistemet e saj me rreze të mesme, të pozicionuara në platforma tokësore apo mjete detare.

Në një deklaratë të bërë menjëherë pas njoftimit amerikan, NATO u shpreh se vendet e saj anëtare mbështesin plotësisht këtë hap.

“Rusia është në shkelje reale të Traktatit INF dhe duhet t’i shfrytëzojë 6 muajt në vazhdim për t’u rikthyer plotësisht brenda parametrave të traktatit ose të mbajë të gjithë përgjegjësinë për prishjen e traktatit”, shkruajti në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Zyrtarët e OKB-së shprehën shqetësimin e tyre.

“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shpreson që palët t’i shfrytëzojnë gjashtë muajt e ardhshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes dialogut. Traktati INF është një pjesë shumë e rëndësishme e arkitekturës për kontrollin e armatimit ndërkombëtar”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.

Ndërkohë pati reagime të përziera nga ligjvënësit amerikanë, ndërkohë që Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se: “Administrata Trump po rrezikon të krijojë një garë armatimi dhe të cënojë sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar. Moszbatimi i pacipë i Rusisë të këtij traktati është thellësisht shqetësues. Por, të heqësh një nga shtyllat kryesore të kuadrit tonë të sigurisë krijon rreziqe të papranueshme”, deklaroi zonja Pelosi.

Disa analistë mendojnë se nëse SHBA-ja fillon zhvillimin e raketave të reja, kjo do t’i mundësojë përballjen me rreziqet në rritje nga vende si Kina dhe Irani, të cilat nuk janë pjesë e Traktatit INF. Shtetet e Bashkuara besojnë se këto vende kanë në arsenalin e tyre mbi 1 mijë raketa me rreze të mesme veprimi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG