Lidhje

Paul Ryan dhe pikëpamjet e tij


Kandidati republikan për zëvendës president njihet për propozimin e triliona dollarë shkurtime të shpenzimeve në Kongres

Votues republikanë si dhe analistë politikë e kanë akuzuar kandidatin republikan për president Mitt Romney se është i ngurtë, larg realitetit të shumicës dhe i gatshëm të ndryshojë bindjet e tij politike, kur vihet nën presion. Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për kandidatin për zëvendës president të zgjedhur nga zoti Romney, ligjvënësin Paul Ryan, i shtetit Uiskonsin. Materiali në vazhdim na njeh më nga afër me zotin Ryan.

Ligjvënësi republikan Paul Ryan kujtoi vitet e tij të fëmijërisë, kur paraqiti veten si kandidat për zv/president:

"Babai im vdiq kur isha i ri. Ai ishte një njeri i mirë dhe me parime. Ka disa gjëra që ai thoshte që i kujtoj gjithmonë. Njëra ishte: ‘Bir, mund të jesh ose pjesë e problemit ose pjesë e zgjidhjes.’"

Zoti Romney mendon se ligjvënësi në moshë të re, por me përvojë, është pjesë e zgjidhjes:

"Me energji dhe vizion, Paul Ryan është bërë një udhëheqës intelektual i Partisë Republikane. Ai kupton sfidat fiskale me të cilat përballet Amerika: deficitet e mëdha, borxhin shtypës dhe katastrofën fiskale që na pret nëse nuk ndryshojmë drejtim."
Ligjvënësi Ryan është i diplomuar në ekonomi dhe shkenca politike në Universitetin e Miamit në Ohajo.

Ai u zgjodh në Kongres në moshën 28 vjeçare dhe tani është në mandatin e tij të shtatë, duke përfaqësuar qytetin ku u rrit dhe ku ende jeton.

"Jam i angazhuar me zemër dhe mendje që ta përdor atë përvojë duke punuar në një administratë Romney."

Zoti Ryan drejton Komitetin për Buxhetin, në Dhomën e Përfaqësuesve. 42-vjeçari njihet për paraqitjen e buxheteve federale që propozojnë triliona dollarë shkurtime të shpenzimeve, si dhe ndryshime të diskutueshme të Medicare, programi qeveritar i kujdesit shëndetësor për amerikanët e moshuar.
Ai foli në emër të republikanëve, pas fjalimit të presidentit Barack Obama para dy dhomave të Kongresit në vitin 2011.

"Duhet të kërkojmë sërish sistemin tonë amerikan të qeverisjes të kufizuar. Taksa të ulëta, rregullore të arsyeshme dhe rezerva të mira parash, të cilat na kanë dhënë begati të paparë dhe kanë bërë më tepër për të ndihmuar të varfrit se çdo sistem tjetër ekonomik i projektuar ndonjëherë."

Zoti Ryan – i martuar dhe baba i tre fëmijëve – është një i krishter katolik që kundërshton martesat e të njëjtit seks dhe abortin.
Presidenti Obama kundërshton ideologjinë e zotit Ryan.

"Ligjvënësi Ryan është një njeri i mirë. Ai është një njeri familjar. Është një zëdhënës i aftë për vizionin e Guvernatorit Romney, por ai është një vizion me të cilin unë nuk pajtohem."

Jennifer Lawless është profesore e politikës në Universitetin Amerikan në Uashington. Ajo thotë se ligjvënësi Ryan ndihmon në ekuilibrimin e kandidaturës së zotit Romney.

"Mendoj se ai shton një lloj entuziazmi dhe është karizmatik, diçka që shumë republikanë mendojnë se i mungonte Mitt Romney-it. Pra, jo vetëm që ai rrit pëlqyeshmërinë e bazës republikane me bindjet e tij konservatore, por ai gjithashtu sjell një lloj entuziazmi që mungonte."

Për ish guvernatorin Romney, mbështetja e zotit Ryan në një fazë kritike të zgjedhjeve paraprake ishte mjaft e dobishme, duke e ndihmuar të kalonte konkurrentët e tij në garë, për të konkuruar kundër presidentit Obama në nëntor.

XS
SM
MD
LG