Lidhje

Laureatët e Çmimit Nobel të Paqes mblidhen në Çikago


Qyteti i Çikagos po mirëpret takimin e 12-të vjetor botëror të Laureatëve të Çmimit Nobel të Paqes. Është hera e parë që kjo ngjarje zhvillohet në Amerikën e Veriut. Më shumë se dymbëdhjetë laureatë të shquar janë duke promovuar temën e samitit "Fol për Liri dhe të Drejta", nëpërmjet një serie diskutimesh gjatë ngjarjes tre-ditore. Organizatorët shpresojnë që ky aktivitet të ngjallë interes tek të rinjtë.

Para se të fliste në takimin e 12 Botëror të Nobelistëve, Manal Salah e Shkollës së Mesme të Çikagos i kishte parë vetëm nëpër tekste shkollore njerëzit që qëndronin prapa saj.

“…dëgjon për ta dhe i sheh në dokumentarë, por kur i ke para syve të bëhen të vërtetë.”

Saleh pati nderin të prezantonte ish presidentin e Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbachev, i cili mori Çmimin Nobel të Paqes para se ajo të kishte lindur.

“Prezantova Presidentin Gorbachev i cili erdhi nga asgjëja dhe ndryshoi botën. Ai qëndroi para nesh dhe më bëri ta vlerësojë këtë ndryshim edhe më tepër.”

“Kjo është një konferencë e udhëheqësve botërorë që kanë një mesazh – mesazhin se një njeri mund të sjellë ndryshim”, thotë Kerry Kennedy, vajza e senatorit të ndjerë Robert Kennedy dhe një nga organizatoret e Samitit.

Ajo tha se diskutimet mes laureatëve janë hartuar për të tërhequr nxënës si Saleh.

“Mesazhi i tyre është, unë nuk jam ndryshe nga ju. Të gjithë ne mund të sjellim ndryshim dhe ky është një mesazh i fortë për të fuqizuar studentët, por është gjithashtu një burim i madh shprese për laureatët, të cilët janë të moshuar dhe shohin tek brezi i ardhshëm ata që do të marrin stafetën drejt një bote më të mire.”

Ish udhëheqësi sovjetik Gorbachev shpreson se përfshirja e më shumë të rinjve do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve globale si varfëria dhe papunësia.

“Sigurisht që ka gjëra që tek të rinjtë që na shqetësojnë, por të rinjve duhet t'u jepet një shans për të marrë një pozicion në këtë botë, në kontekstin e këtyre problemeve, të problemeve të vërteta me të cilat përballet bota.”

Ish presidenti amerikan dhe fituesi i Çmimit Nobel të Paqes në vitin 2002 Jimmy Carter thotë se ai dhe miqtë e tij laureatë e kuptojnë se përgjigja për paqen në të ardhmen po inkurajon më shumë negociata në të tashmen.

“Njerëzimi duhet të thotë, Lufta është e fundit, dhe paqja e para.”

Ish presidenti i Afrikës së Jugut De Klerk është dakort me këtë vlerësim. Ai citon ish presidentin amerikan dhe fituesin e çmimit Nobel të Paqes Theodore Roosevelt.

“Presidenti Roosevelt ka thënë se ka momente kur duhet folur ashpër dhe ka të tjera kur duhet folur butë. A nuk kemi folur mjaft ashpër? Dhe a nuk ka ardhur koha të flasim shtruar?”

Samiti vjen vetëm disa javë para se presidenti Barack Obama, fituesi i çmimit Nobel të Paqes në vitin 2009 të takohet me udhëheqësit botërorë në qytetin e tij të Çikagos për të diskutuar mbi rolin e ardhshëm ushtarak të Natos në Afganistan.

XS
SM
MD
LG