Lidhje

Sanders kritikohet për komentet mbi Kubën


Kryesuesi i fushatës demokrate për president, Bernie Sanders, po përballet me kritika lidhur me komentet që bëri mbi ish udhëheqësin e Kubës, Fidel Kastro.

Kandidati Sanders dhe rivalët kryesorë të tij brenda fushatës demokrate, përfshi ish Zëvendëspresidentin Joe Biden dhe ish kryebashkiakun e Nju Jorkut Mike Bloomberg janë në një garë intensive para zgjedhjeve paraprake mes demokratëve që zhvillohen të dielën në Karolinën e Jugut.

Kjo cilësohet si prova e parë e madhe mes votuesve afrikano-amerikanë. E marta që vjen, 3 marsi, dhe që njihet si super e marta, është një tjetër sfidë e madhe me votime në 14 shtete, që përbëjnë numrin më të madh të votuesve deri tani.

Fitorja e zotit Sanders të shtunën në Nevada, e cila erdhi pas paraqitjeve të mira në shtetet Ajova dhe Nju Hampshire, ka shkaktuar shqetësim mes demokratëve të cilët e shohin senatorin, që e përshkruan veten si demokrat socialist, si tejet liberal për të mundur Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Sanders u përball me kritika nga demokratët në Florida për komentet e tij lidhur me ish udhëheqësin komunist Fidel Casto gjatë programit televiziv “60 minutes” që u transmetua të dielën.

“Jemi shumë kundër natyrës autoritare të Kubës, por është e padrejtë të thuhet se gjithçka është e keqe”, tha zoti Sanders në intervistë ndërsa iu referua Castros.

“Kur Fidel Castro erdhi në pushtet, e dini si veproi? Ai kishte një program masiv kundër analfabetizmit. A është kjo një gjë e keqe? Edhe pse e bëri Fidel Castro?”

Citimet e zotit Sanders shkaktuan reagime nga demokratët e Floridës, një prej fushëbetejave të zgjedhjeve të përgjithshme dhe strehë e një popullsie të madhe të arratisurish nga Kuba gjatë regjimit të Castros.

“Shpresoj që në të ardhmen zoti Sanders të gjejë kohë të flasë para elektoratit tim para se të vendosë të ngrejë lartë një tiran vrasës si Fidel Castro”, u shpreh në Twitter ligjvënësja Donna Shalala.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG