Lidhje

Një familje në Bruklin përballë pasojave të Sandy-t


Banesa e familjes është përmbytur nga ujëra të ndotura, ndërkohë që një nga pjesëtarët ka mbetur pa punë si rezultat i uraganit

Uragani Sandy shkaktoi probleme të shumta për banorët e pjesës verilindore të Shteteve të Bashkuara, në veçanti në shtetet Nju Xhërsi dhe Nju Jork. Në lagjen Bruklin të Nju Jorkut, përmbytjet nga ujërat që solli kanali Gowanus detyruan një familje imigrante të braktiste banesën. Ky është ndër kanalet me ujërat më të ndotura në Shtetet e Bashkuara:

Maria Gonzales ka jetuar me familjen e saj në këtë zonë të lagjes Bruklin, që kur imigroi nga Meksika kur ishte katër vjeçe. Familja jeton në një apartament në katin përdhes që ka vetëm dy dyer – një për dritë dhe një për ajrosje.

Kur zona u godit nga uragani, banesa u mbush me një metër ujë, i cili erdhi nga dalja nga shtrati e kanalit Gowanus:

“Nxorëm të gjithë dyshekët jashtë. Çdo gjë kishte dalë jashtë përdorimit. Mjafton të vish në dhomën time ta shohësh sa keq është situata. Dollapi është çarë. Çdo gjë është lagur. Këtu kisha një raft librash që u shkatërrua. U detyrova t’i hedh të gjitha librat shkollorë në plehra, pasi ishin qullur”.

Maria, i ati Rodrigo dhe e ëma Carmen u përpoqën gjatë gjithë ditës pas stuhisë të nxirrnin ujin me pompë. Tani po përpiqen të pastrojnë apartamentin që të kthehen të jetojnë aty:

“U tremba shumë kur filloi stuhija, pasi nuk e dija çfarë do të ndodhte”.

Jerry Gonzales është vëllai 10-vjeçar i Marias.

“Uji kishte arritur deri tek gjysma e derës. Na u desh të merrnim kova për të larguar ujin, në mënyrë që të hapnim derën dhe në atë kohë pamë që frigoriferi po pluskonte mbi ujë”.

Lavamani në kuzhinë është thyer, tani përdorin vetëm lavamanin e banjos. Pronari i banesës thotë se është përgjegjësia e tyre të bëjnë riparime.

Carmen është pa punë, pasi biznesi ku punonte është përmbytur. Maria e ka të qartë se familja nuk do të jetë në gjendje të paguajë për ekskursionin që bën klasa e saj maturante, apo për pjesëmarrjen në mbrëmjen e maturës.

"Na duhet t’i zëvendësojmë të gjitha orenditë, pra s’do të ketë para për udhëtimin tim. Pastaj na duhet të shpenzojmë për aplikimin në universitet dhe duhet të kursejmë që të paguajmë koston e studimeve. Por për momentin, ky është shqetësimi ynë më i largët. Na duhet që së pari të kthehemi në banesë”.

Familja shpreson që të ketë mundësi të jetojë në këtë banesë për pak kohë. Carmen thotë se do të jetë e vështirë të gjejnë një apartament me kosto të përballueshme. Por ajo thotë se edhe në aparatamentin aktual tani do ta kenë të vështirë të paguajnë qeranë.

XS
SM
MD
LG