Lidhje

Skandali i gjimnastikës: Guvernatori kërkon hetimin e palestrës në Teksas


Guvernatori i Teksasit Greg Abbott i kërkoi të martën agjencisë kryesore të rendit të shtetit (Texas Rangers) të nisë një hetim mbi një mjedis që përdorej nga Fedarata Amerikane e Gjimnastikës për stërvitje e quajtur “Karolyi Ranch”, të cilin ish mjeku i ekipit e ka shfrytëzuar gjithashtu për të abuzuar seksualisht gjimnastet.

"Deklaratat publike të atleteve të cilat janë stërvitur në 'Karolyi Ranch' janë rrëqethëse", shkruan zoti Abbott në një letër ku bën thirrje për një hetim nga “Texas Rangers” të objektit sportiv që ndodhet Huntsville, rreth 113 kilometra në veri të Hjustonit.

Objekti është përdorur për stërvitje të vazhdueshme, por Federata Amerikane e Gjimnastikës njoftoi më herët gjatë këtij muaji se i ka anuluar stërvitjet aty dhe se po shihte mundësitë për gjetjen e mjediseve alternative, deri në gjetjen e një vendi të përhershëm.

Kompleksi u hap nga trajnerët e njohur të gjimnastikës Bela dhe Martha Károlyi në mesin e viteve 1980 dhe ka luajtuar një rol jetik në shndërrimin e ekipit amerikan të femrave në një forcë dominuese në garat botërore.

Javën e kaluar, ish mjeku 54 vjeçar i ekipit të gjimnastikës Larry Nassar u dënua me deri në 175 vjet burg për abuzim seksual me gjimnastet e reja.

Në seancën gjyqësore në Miçigan, rreth 160 prej viktimave të tij dhanë dëshmi të dhimbshme të abuzimit që kishin pësuar në duart e Nassar-it, që shërbeu si mjek i ekipit përgjatë katër Lojërave Olimpike.

Viktimat thanë gjithashtu se disa nga abuzimet seksuale kishin ndodhur në palestrën Karolyi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG