Policia e qytetit Seattle në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit po punon për zbrazjen e një zone proteste që është bërë "e paligjshme dhe e dhunshme", tha të mërkurën shefja e policisë.
Përpjekjet vijnë pas disa javësh dhune, duke përfshirë katër incidente me armë zjarri dhe vdekjen e dy adoleshentëve.
Kryetarja e Bashkisë së qytetit Seattle, Jenny Durkan e shpalli të paligjshme grumbullimin e njerëzve brenda dhe përreth parkut Cal Anderson pranë të cilit ndodhet edhe rajoni i policisë.
Shefja e policisë, Carmen Best, tha në një deklaratë se ajo mbështet demonstrimet paqësore. “Por çdo gjë ka një kufi.”
Katër netë me dhunë dhe incidente me armë kanë lënë të vrarë dy adoleshentë afrikano-amerikanë, ndërsa dy të tjerë janë shtruar në spital.
Prania e protestuesve në zonën e mbiquajtur Capitol Hill Occupied Protest (CHOP) ka ardhur duke u zvogëluar, ndërkohë që deri tani selia e policisë ka qendruar e braktisur.
Presidenti Donald Trump ka kërkuar që shteti Uashington dhe qyteti Seattle të ndërmarrin veprime për ta zbrazur zonën nga protestuesit, duke i quajtur ata "terroristë të brendshëm", por deri të mërkurën autoritetet e qytetit vazhduan të ndjekin qasjen e mos konfrontimit me demonstruesit.
Facebook Forum