Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i tërheqin trupat nga Iraku. Ai sqaroi se një letër e shkruar nga një komandant amerikan në Irak, ku lihej të kuptohej se trupat do të tërhiqeshin, ishte një gabim.
“Nuk ka vendim për t’u larguar nga Iraku dhe nuk ka ndonjë plan për këtë”, tha zoti Esper.
Letra e cila dje u publikua edhe në Twitter, i ishte dërguar qeverisë irakiane nga një komandant amerikan në Irak. Në të thuhej se “Shtetet e Bashkuara respektojnë vendimin e Irakut që kërkon largimin tonë dhe se trupat amerikane do të ripozicionohen në ditët dhe javët në vijim në përgatitje për lëvizjen e mëtejshme.”
Kryeministri i Irakut Adel Abdul Mahdi tha të martën se Komanda e operacioneve të përbashkëta në ushtrinë irakiane ka marrë një letër nga ushtria amerikane në lidhje me një tërheqje të mundshme të trupave të tyre nga vendi.
Versionet në gjuhën angleze dhe arabe të letrës nuk ishin identike prandaj Iraku ka kërkuar sqarime nga Uashingtoni, tha kryeministri Mahdi në një takim të kabinetit të transmetuar në televizion.
Ai komentoi dy ditë pasi ligjvënësit irakianë, me mbështetjen e tij, votuan për një rezolutë që kërkonte largimin e të gjitha forcave të huaja nga Iraku pas vrasjes së komandantit ushtarak iranian Kasem Soleimani në aeroportin e Bagdadit.
Gjeneral amerikan Mark Milley, shef i shtabit të ushtrisë, u tha gazetarëve se letra ishte thjesht një draft që i ishte dërguar aleatëve në Irak, për të marrë komentet e tyre dhe për të koordinuar gjuhën.
Ai tha se letra ishte një gabim që çoi në një keqkuptim.
Facebook Forum