Lidhje

Zgjedhjet për Senat në shtetin e Virxhinias


Muajin e ardhshëm, amerikanët do të zgjedhin presidentin dhe kongresin e ri. Përbërja politike e kongresit do të përcaktojë nëse presidenti i ardhshëm mund të miratojë axhendën e tij në katër vitet e ardhshme. Republikanët pritet të ruajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por kontrolli i Senatit, ku demokratët tani kanë shumicën, është në pikëpyetje. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, një nga garat kyçe për senat është duke u zhvilluar në shtetin e Virxhinias.

Republikani George Allen po përpiqet të sigurojë sa më shumë vota në Virxhinia, përfshirë votat e komunitetit aziatiko-amerikan të këtij shteti.

Mesazhi i tij kryesor është rritja e ekonomisë.

“Dua të sigurohemi që çdo amerikan, pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare, të këtë mundësi të barabarta për sukses. Ky është premtimi i Amerikës”.

Rivali i tij demokrat Tim Kaine flet për të njejtën temë në një qendër të komunitetit hebre.

“Unë kam besim të madh në parimin se po fituam në konkurrencën për talente, do të fitojmë konkurrencën në ekonomi. Arsimi, zhvillimi i fuqisë punëtore dhe reforma e imigracionit janë thelbësore në përpjekjet për të fituar garën për tërheqjen e talentëve”.

Dy ish-guvernatorët e Virxhinias, Allen dhe Kaine po konkurrojnë për të plotësuar vendin e senatorit që del në pension, Jim Webb , i cili fitoi ndaj ish guvernatorit Allen në vitin 2006. Sipas analistit politik Phil Wallach fokusi i garës së këtij viti për senat pasqyron garën presidenciale.

“Në shkallë kombëtare dhe në Virxhinia, fokusi i garës është krijimi i vendeve të reja të punës. Të gjithë kandidatët duan të thonë se partia e tyre ka një plan për këtë çështje”.

Zgjedhjet po zhvillohen për një të tretën e 100 vendeve në senatin amerikan. Republikanët duhet të fitojnë katër vende për të marrë kontrollin e senatit.

Kandidatët republikanë Todd Akin nga Mizuri dhe Richard Mourdock nga Indiana kanë dëmtuar shanset e tyre për të fituar pas komenteve që ata kanë bërë në lidhje me përdhunimin dhe abortin. Komentet e tyre janë pritur me kritika të shumta.

Disa kandidatë demokratë, ndërkohë, po bëjnë fushata më të forta se ç’pritej. Në Masaçusets, sondazhet favorizojnë sfiduesen demokrate Elizabeth Warren ndaj senatorit republikan Scott Brown.

Në Virxhinia, sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë në mes demokratit Tim Kaine dhe dhe kandidatit republikan George Allen.

“Është e qartë se zgjedhjet do të jenë me rezultat të ngushtë deri në ditën e votimit”.

Republikanët e Virxhinias si oficeri në pension William Hoffat, thonë se janë mobilizuar për këto zgjedhje.

“Vlerat e George Allen-it dhe vlerat e Mitt Romney-it gjejnë jehonë mes imigrantëve amerikanë që besojnë se përmes punës arrihet suksesi”.

Mbështetësja e kandidati demokrat Tim Kaine, Sheila Levine thotë se presidenti Obama, në qoftë se rizgjidhet, do të ketë nevojë për një shumicë demokrate për të arritur sukses në kongres.

“Ne jemi shumë të polarizuar tani, dhe në qoftë se mund të dërgojmë më shumë demokratë në kongres, ndoshta Obama mund të realizojë diçka”.

Tim Kaine është zotuar se do të punojë me anëtarët e të dyja partive për të gjetur gjuhën e përbashkët që ai thotë se nuk ekziston në Uashington. George Allen thotë se kjo garë mund të përcaktojë balancën e pushtetit në senat.

“Zhvillimet në Virxhinia, do të kenë ndikim në mbarë Amerikën dhe të ardhmen tonë”.

Në të vërtetë, votuesit në këtë shtet mund të kenë një ndikim të madh në drejtimin politik të vendit në vitet e ardhshme.
XS
SM
MD
LG