Lidhje

Senati analizon dëshminë e gjykatësit Brett Kavanaugh


Senatorët amerikanë po analizojnë të emëruarin e Presidentit Trump për anëtar të Gjykatës së Lartë, gjykatësin e apelit Brett Kavanaugh, pas dëshmive të tij disa ditëshe para senatit javën e kaluar. Juristi konservator pritet të marrë miratimin e Komisionit të Drejtësisë, por vetëm me votat e senatorëve republikanë, duke i hapur rrugën një beteje të ashpër politike në senat më pas këtë muaj.

"Gjykatësi Kavanaugh meriton mbështetje dërrmuese dypalëshe, dhe unë mendoj se ai do të jetë një nga gjykatësit tanë të mëdhenj të Gjykatës së Lartë".

Presidenti Trump i bëri komentet pasi kandidati i tij kaloi nëpër më shumë se 30 orë seanca konfirmimi, shpesh të ndërprera nga protestuesit.

Demokratët ngrenë pyetje mbi pikëpamjet e zotit Kavanaugh për abortin dhe martesat e homoseksualëve.

"A do të më thoni mendimin tuaj për martesat mes personave të të njejtës gjini?", pyeti senatori demokrat Cory Booker nga Nju Xhërsi.

Senatorët donin të dinin nëse ai ka thënë ose ka bërë ndonjë gjë në lidhje me hetimin mbi kontaktet e fushatës së zotit Trump me Rusinë në vitin 2016.

"A keni diskutuar ndonjëherë për hetimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller?", pyeti senatorja demokrate nga Kalifornia, Kamala Harris.

Kavanaugh nuk pranoi të ndante pikëpamjet e tij mbi çështjet e debatueshme dhe nuk ishte i qartë në lidhje me bisedat për hetimet mbi ndërhyrjen e Rusisë.

"Nuk jam i sigurt. Po përpiqem të mendoj për këtë", tha ai.

Ndërkohë, republikanët kërkuan të theksonin pikëpamjet e zotit Kavanaugh mbi pavarësinë e gjyqësorit.

"Ju lutemi na tregoni se çfarë kuptimi ka pavarësia e gjyqësorit për ju, duke përfshirë rastet kur ju mund të vendosni kundër presidentit që ju ka emëruar", pyeti senatori republikan Chuck Grassley.

Brett Kavanaugh, kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë

"Askush nuk është mbi ligjin në sistemin tonë kushtetues. Dega ekzekutive është subjekt i ligjit, subjekt i sistemit gjyqësor".

Kavanugh është emërimi i dytë Presidentit Trump për anëtar të Gjykatës së Lartë. Konfirmimi i tij mund të çimentojë për disa dekada shumicën konservatore në Gjykatën e Lartë, duke alarmuar demokratët.

"Presidenti që ju ka emëruar ka thënë:" Unë do të emëroj dikë që është kundër abortit dhe pro-armëmbajtjes". Dhe ne [demokratët] besojmë atë që ai ka thënë”, tha senatorja demokrate Dianne Feinstein.

Republikanët ishin optimist pas paraqitjeve të zotit Kavanaugh në senat.

"Unë do të bëj punën time. Por më pëlqen ajo që kam parë deri tani. Unë mendoj se ai do të konfirmohet", tha senatori republikan John Kennedy.

Kavanaugh mund të bëhet anëtar i Gjykatës së Lartë rreth një muaj përpara zgjedhjeve të mesmandatit, duke i dhënë energji votuesve liberalë dhe atyre konservatorë me vizione rrënjësisht të ndryshme për Amerikën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG