Lidhje

Senati nuk miraton financimin e qeverisë dhe masat për tavanin e borxhit


Godina e Senatit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara

Senati amerikan nuk arriti të hënën të miratonte masa për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë në fillim të një jave vendimtare legjislative që po nxjerr në pah sfidat me të cilat përballet Kongresi i ndarë në vija të ashpra partiake.

Ligjvënësit republikanë votuan kundër projektligjeve të hënën në mbrëmje, duke i detyruar demokratët të kërkojnë mënyra të tjera për ta mbajtur qeverinë të hapur përtej të enjtes dhe për të rritur tavanin e borxhit, ndërkohë që qeveria parashikohet të mos i paguajë dot huatë e saj deri në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit

Votimi pothuajse plotësisht në vija partiake dështoi me 48 vota pro dhe 50 kundër. Demokratët kontrollojnë me shumicë të ngushtë të dy Dhomat e Kongresit, por sipas rregullave të Senatit, 60 nga 100 vota nevojiten për të miratuar pjesën më të madhe të legjislacionit në atë dhomë.

Republikanët kanë thënë se duan që demokratët të heqin kufirin e borxhit, duke thënë se ata nuk mbështesin planet e demokratëve për shpenzimet prej shumë triliona dollarësh.

Mitch McConnell
Mitch McConnell

"Ne nuk jemi të gatshëm të ndihmojmë demokratët të rrisin tavanin e borxhit, ndërsa ata hartojnë një zbavitje të pamatur taksash dhe shpenzimesh të përmasave historike pas dyerve të mbyllura", tha kreu republikan i Senatit Mitch McConnell të hënën në sallën plenare të Senatit.

Demokratët thonë se shumica e borxhit të vendit u krijua gjatë administratës së ish-Presidentit Trump. Historikisht, të dyja palët kanë votuar për të rritur kufirin për të parandaluar dështimit fiskal të Shteteve të Bashkuara.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer tha se veprimi republikan është "një nga votimet më të pamatura dhe më të papërgjegjshme që kam parë të ndodhë në Senat" dhe se "Partia Republikane e ka përcaktuar veten si partia e dështimit të buxhetit".

"Nuk ka asnjë skenar në botë në të cilin ia vlen të rrezikosh miliona vende pune, triliona nga paratë e familjeve amerikane, çeqet e sigurimeve shoqërore, paratë e veteranëve dhe një recesion tjetër vetëm për të fituar pikë në afatin e afërt, pikë politike të pakuptimta. Kjo është ajo që republikanët duket se kanë si synim të bëjnë”, tha ai.

"Demokratët duan të përdorin pandeminë e përkohshme si një kalë Troje për socializmin e përhershëm. Ata e kanë bërë këtë të qartë dhe miliona amerikanë zgjodhën 50 senatorë republikanë pikërisht për të luftuar një gjë të tillë", tha Sen. McConnell.

Zoti McConnell tha se republikanët do të mbështesnin një projekt-ligj që financon operacionet e përditshme të qeverisë, buxheti i së cilës mbaron pas të enjtes. Demokratët, megjithatë, nuk duan të ndajnë masën e financimit të qeverisë nga projektligji për kufirin e borxhit.

Përveç ngërçit me këto masa, në Kongres ka gjithashtu kundërshti për një projektligj infrastrukturor dypartiak prej 1 trilion dollarësh, si dhe një tjetër projektligj të demokratëve prej 3.5 trilionë dollarësh për shpenzimet sociale dhe ndryshimin e klimës.

Dhoma e Përfaqësuesve filloi debatin të hënën mbi projekt-ligjin e infrastrukturës përpara një votimi të planifikuar të enjten mbi këtë masë që është një pjesë kryesore e axhendës vendore të Presidentit Joe Biden.

Nancy Pelosi
Nancy Pelosi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi i njoftoi datat në një letër drejtuar ligjvënësve demokratë të dielën. Në intervista televizive, ajo shprehu besimin se projektligji do të kalonte.

"Më lejoni të them vetëm se ne do ta miratojmë këtë javë", tha zonja Pelosi në ABC This Week.

Senati miratoi planin e infrastrukturës në një votim muajin e kaluar ku 19 republikanë u bashkuan me të 50 anëtarët e grupit demokrat.

Demokratët progresivë në Dhomën e Përfaqësuesve, megjithatë, e kanë lidhur faturën e infrastrukturës me faturën më të madhe prej 3.5 trilionë dollarësh të shpenzimeve sociale, e cila përballet me më shumë kundërshtime, përfshirë nga disa demokratë të Senatit që thonë se nuk do të mbështesin aq shumë shpenzime.

Progresistët e Dhomës së Përfaqësuesve thonë se nuk do të votojnë për projekt-ligjin e infrastrukturës nëse nuk ka përparim me projekt-ligjin e shpenzimeve shoqërore, ndërsa moderuesit demokratë thonë se ata nuk mund të votojnë për projekt-ligjin me shpenzime më të mëdha derisa të kalojë fatura e infrastrukturës.

Zonja Pelosi i tha programit ABC This Week se negociatat me siguri do të rezultonin në një çmim më të ulët për faturën e shpenzimeve shoqërore, duke e quajtur një zhvillim të tillë "të vetëkuptueshëm".

Propozimi prej 3.5 trilionë dollarësh përfshin planet për të siguruar mësim universal për kopshtin e fëmijëve, mësimdhënie kolegji falas në komunitet, kujdes të zgjeruar shëndetësor për amerikanët e moshuar, fonde për kujdesin e fëmijëve dhe para për të luftuar efektet e ndryshimit të klimës. Gjithashtu do të përpiqet të ndryshojë ligjin e emigracionit dhe të ulë çmimet e barnave me recetë.

Shpenzimet e infrastrukturës, me gati gjysmën e saj në fondet e reja të qeverisë, do të riparonin rrugët dhe urat e vjetëruara dhe do të zgjeronin rrjetin e komunikacioneve me bandë të gjerë, do të paguajnë për zëvendësimin e sistemeve të rrezikshme të ujit të pijshëm që përdorin tuba plumbi, do të shtojnë infrastrukturën e re të kanalizimeve, do të zgjerojnë hekurudhat e pasagjerëve dhe sistemet e tranzitit, dhe përmirësimin e aeroporteve.

Presidenti Biden është takuar me demokratët për t’u siguruar që axhenda e tij legjislative të kalojë.

Kur u pyet se si do të dukej suksesi legjislativ, ai u tha gazetarëve të hënën në Shtëpinë e Bardhë: "Ne kemi tre gjëra për të bërë: tavani i borxhit, financimi i qeverisë dhe dy projektligje. Nëse e bëjmë këtë, vendi do të jetë në formë të shkëlqyer ".

*Disa të dhëna për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve The Associated Press dhe Reuters.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG