Lidhje

Senati pritet të kundërshtojë gjendjen e emergjencës kombëtare


Senati amerikan pritet t’i japë një goditje ligjore Presidenti Donald Trump të enjten, kur votojë për mosmiratimin e shpalljes nga ana e tij të gjendjes së emergjencës kombëtare, me synimin për të financuar ndërtimin e një muri përgjatë kufirit amerikan me Meksikën.

Një pjesë e vogël e republikanëve të Senatit janë angazhuar për t'u bashkuar me grupin e demokratëve, për të hedhur poshtë vendimin për shpalljen e gjendjes së emergjencës, duke siguruar kalimin e një mase që nuk e kundërshton atë, në një dhomë ku republikanët gëzojnë një shumicë të ngushtë, 53 me 47.

"Çështja është, a do të themi se në çdo kohë që një president nuk mund të bëjë atë që do me Kongresin, ai mund të deklarojë një emergjencë dhe Kongresi të ngrejë supet?", tha udhëheqësi i pakicës Chuck Schumer. "Ky është turp."

Shumë republikanë janë shprehur të shqetësuar lidhur me shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare, duke vënë në dukje se Kushtetuta amerikane i jep Kongresit autoritetin mbi çështje që lidhen me shpenzimet. Por shumica pritet të votojnë kundër masës që e kundërshton shpalljen e emergjencës, duke përmendur nevojën urgjente për të siguruar kufirin jugor të Amerikës.

"Po votoj si ju, zoti President," shkruante në një postim senatori republikan i Oklahomës, James Inhofe. "Nuk ka asnjë vend pa kufij."

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët e ka miratuar tashmë masën që kundërshton vendimin e Presidentit, e cila pritet të shkaktojë vendosjen e vetos së parë nga ana e zotit Trump nëse do të shkojë në tryezën e tij.

"Ka të bëjë me sigurinë kufitare dhe murin, ndalimin e krimit, drogës… jo me kushtetutën apo krijimin e një preçedenti", shkruante së fundmi në një postim në twitter Presidenti Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG