Lidhje

Senatorët dhe drejtuesit e mediave sociale bien dakord për ndryshim


Drejtuesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, duke dëshmuar virtualisht në një komision të Senatit (17 nëntor 2020)

Ndërsa janë duke u përballur me akuza për censurë, drejtuesit e kompanive Twitter dhe Facebook u paraqitën përpara ligjvënësve amerikanë të martën për të mbrojtur veprimet që ndërmorën gjatë zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.

Drejtorët ekzekutivë të kompanive Facebook dhe Twitter u gjendën virtualisht përpara Kongresit të martën, për të dëshmuar për të dytën herë brenda tre javësh përpara një komisioni të Senatit.

Pjesa më e madhe e kritikave ndaj drejtuesit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, dhe drejtuesit të Twitter-it Jack Dorsey, nuk janë diçka e re dhe u bënë në vijim të zgjedhjeve të fundit amerikane.

"Kur kemi kompani që kanë pushtetin e qeverive, që kanë shumë më tepër pushtet se grupet tradicionale mediatike, nuk mund të vazhdohet më kështu", tha Senatori republikan, Lindsey Graham.

Masat e kompanive të mediave sociale kundër keqinformimit, gjuhës së urrejtjes dhe çështje të tjera, janë vënë prej kohësh në pikëpyetje nga ligjvënësit e të dyja palëve. Republikanët i akuzojnë kompanitë për çensurë.

"Ndërkohë që nuk ia lejojmë qeverisë të përcaktojë se çfarë shkruan apo nuk shkruan shtypi, ne po ua lejojmë kompanive private, të shndërruara tashmë në forume publike de facto, që të menaxhojnë lirinë e shprehjes", tha Senatori republikan John Cornyn.

Demokratët thonë se kompanitë duhet të bëjnë më shumë që të mos përdoren për të përhapur falsitete.

"Keni ndërtuar mjete të tmerrshme bindjeje dhe manipulimi, me pushtet shumë më të madh se baronët e epokës industriale", tha Senatori demokrat Richard Blumenthal.

Kompanitë pranuan nevojën për reforma.

"Mendoj se jemi të vonuar në përditësimin e rregullave për përmbajtjen e internetit, zgjedhjet, privatësinë dhe zhvendosjen e të dhënave", tha Mark Zuckerberg, drejtor ekzekutiv i Facebook-ut.

Drejtuesi i Twitter-it vuri në dukje ndikimin e algoritmeve tek ajo që shohin përdoruesit.

"Besojmë se duhet të kemi më shumë dorë të lirë në mënyrën se si ushtrohen këto algoritme për përmbajtjen tonë. Ose nëse duhet të mos i përdorim fare. Të mundemi t'i aktivizojmë dhe çaktivizojmë, si dhe të kemi qartësi për rezultatet që projektojnë", tha Jack Dorsey, drejtor ekzekutiv i Twitter-it.

Ekspertët thonë se nuk është gjë e re që kompanitë duket se janë të hapura ndaj ndryshimit.

"Kompanitë po sinjalizojnë qartazi se po përpiqen të gjejnë mënyra për kompromis me ligjvënësit, për një kuadër të ri rregullator", thotë Paul Barrett, nëndrejtor i Qendrës për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut, të Universitetit të Nju Jorkut.

Ekspertët thonë se me shumë gjasa, një ligj i ri do t'u bëjë thirrje kompanive të jenë më transparente kur marrin vendime për përmbajtjen që etiketojnë apo bllokojnë.

Dhe për sa kohë kompanitë e mediave sociale kanë fuqinë të ndikojnë tek opinioni publik, ato do të jenë vazhdimisht në syrin e kritikëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG