Lidhje

Tensione në prag të takimit Thaçi-Daçiç


Javën e ardhshme Kosova dhe Serbia pritet të vazhdojnë raundin e ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Por, përgatitjet për këtë raund bisedimesh po ndodhin në një situatë tensionesh politike. Kryeministri serb Ivica Daçiç, paralajmëroi mundësinë që të mos shfaqet në takimin e radhës me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, nëse shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk largojnë nga qendra e atij qyteti një pllakë përkujtimore kushtuar kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha sot se Prishtina dëshiron që të ketë qëndrueshmëri në Luginën e Preshevës, por nuk mund të ketë partneritet në kurriz të shqiptarëve.

Ne i ftojmë shqiptarët e Luginës së Preshevës të forcojnë identitetin kombëtar, t'i realizojnë të drejtat e tyre politike, kombëtare. Natyrisht që do ta kenë mbështetjen tonë të plotë dhe këto t'i bëjnë në mënyrë demokratike. E ftojmë Serbinë që të ketë kujdes në raport me shqiptarët atje, nuk ka partneritet me Kosovën në kurriz të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Nuk ka stabilitet të rajonit duke i dëmtuar një pjesë të shqiptarëve dhe po ashtu dua të them jo për me marr me kërcënim në raport me Serbinë, por Serbia duhet të ketë parasysh që atje ka të bëjë me një pjesë të shqiptarëve, jo me një popull që është jetim”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Zyrtarët serbë ndërkaq kanë shprehur pakënaqësinë e tyre edhe me arrestimin e nëntë pjesëtarëve të komunitetit serb të hënën në Gracanicë, nga ana e policisë së Kosovës. Të gjithë atyre u është shqiptuar masa e ndalimit 48 orësh. Sipas policisë “personat e dyshuar janë ndaluar pasi që gjatë përcjelljes së shefit të zyrës serbe për Kosovën, Aleksandër Vulin, që ishte përgjegjësi e Policisë së Kosovës kishin sjellje dhe veprime të dyshimta dhe veshje të njëjtë të të gjithë personave prandaj për shkak të sigurisë së personalitetit policia i ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor. Personat e ndaluar gjatë gjithë kohës me dy vetura private kanë përcjellë autokolonën e zotit Vulin dhe kanë kryer veprime të dyshimta për policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Shefi u zyrës serbe tha se një veprim i tillë që ai e cilësoi si të padrejtë, mund të dëmtojë edhe procesin e bisedimeve. Beogradi kritikoi edhe bashkësinë ndërkombëtare që nuk arriti të sigurojë leje për presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç që të qëndrojë në Kosovë gjatë kremtimeve me rastin e Krishtlindjeve ortodokse.
Prishtina zyrtare angazhohet ndërkaq për, siç thuhet, qasje të ndërsjellë me Serbinë.

Ne nuk jemi ata të cilët kërkojmë të dominojmë mbi të tjerët, por edhe koha e dominimit e tjerëve mbi ne ka përfunduar. Normalizimi nënkupton reciprocitet, reciprociteti nënkupton që të jemi të barabartë. Ne asgjë më shumë nuk kërkojmë vetëm një trajtim të barabartë në mes dy shteteve dhe kombeve tona. Reflektimi i raporteve Kosovë - Serbi reflekton shumë edhe në raportet shqiptaro - serbe. Unë jam i bindur që ne kemi vullnet, bashkësia ndërkombëtare ka vullnet në këtë rast Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që t'i zgjedhim problemet, t'i normalizojmë raportet. të sjellim paqe për ne dhe për të tjerët dhe të integrohemi në Bashkimin Evropian. Kjo është rruga jonë dhe nuk do të ndalemi prej kësaj rruge”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Beogradi synon që në takimin e radhës të paraqesë një dokument për Kosovën me të cilin siç thuhet do të kërkohet një shkallë e lartë e autonomisë për zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Ideja është hedhur poshtë nga Prishtina, e cila zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës e sheh në kuadër të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG