Lidhje

Serbi: Nacionalisti Nikoliç fiton zgjedhjet presidenciale


Rezultati i zgjedhjeve mund të përcaktojë edhe rrugën që do të ndjekë Serbia me fqinjët dhe ish-rivalët e luftës, përfshirë Kosovën

Në Serbi, kandidatit nacionalist serb Tomislav Nikolic fitoi zgjedhjet presidenciale ndaj presidentit aktual Boris Tadic. Sot pritet të shpallen rezultatet zyrtare të zgjedhjeve. Zoti Nikolic tani duhet të emërojë një kryeministër, por kjo detyrë është vështirësuar sepse megjithëse Partia e zotit Nikolic fitoi më shumë vota, demokratët e partisë së zotit Tadic kanë rënë dakord për një aleancë me socialistët që do t’u siguronte shumicën në parlament.


Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, një organizatë e pavarur sondazhesh tha se zoti Nikolic ka fituar 49.4 për qind të votave, ndërsa kandidati pro Bashkimit Evropian, Tadic mori 47.4 për qind.

Mbrëmë në Beograd, përkrahësit e zotit Nikolic valëvitën flamuj serbë dhe hodhën parulla kundër zotit Tadic.

“Jam shumë e lumtur. Nuk e di sesa kohë kisha që nuk isha kaq e lumtur. Kemi pritur gjatë për këtë moment”.

“Kjo është fitore e vërtetë. Ai fitoi edhe në zgjedhjet parlamentare. Por ata na e hoqën nga duart atë fitore. Votuesit treguan se duan një serb të vërtetë për të drejtuar vendin. Dhe më në fund ai që na mashtroi për tetë vjet, që foli keq për ne dhe na la pa një copë bukë, po ikën”, thotë Momir Ivanovic.

Zoti Nikolic tha se rruga e Serbisë nuk do të ndryshojë.

“Serbia nuk do ta ndryshojë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Serbia do që të mbrojë popullin e vet në Kosovë. Këto zgjedhje nuk ishin referendum për personin që do të udhëheqë Serbinë drejt Bashkimit Evropian. Ne na duhej të zgjidhnim problemet e brendshme që krijoi Partia Demokratike dhe Boris Tadic”.

Zoti Tadic shprehu urimet e tij për zotin Nikolic duke e quajtur fitoren e tij të merituar.

“Për tetë vjetët e fundit, unë isha përgjegjës për çdo njeri, çdo humbje vendi pune, çdo situatë dramatike që kalonte Serbia dhe më duhet të them që nuk ishte e lehtë. Shpresoj që Tomislav Nikolic të gjejë më shumë mirëkuptim për detyrat presidenciale”.


Rezultati i zgjedhjeve është një shenjë e rënies së tërheqjes së Bashkimit Evropian, që është përfshirë nga kriza e borxheve dhe pakënaqësia e votuesve me ekonominë e dobët të Serbisë. Megjithëse Nikolic thotë se i ka ndryshuar pikëpamjet në favor të Bashkimit Evropian, mendohet që ky ndryshim të ketë qenë një manovër për të marrë më shumë vota. Nikolic ka lidhje të ngushta me Rusinë.


Rezultati i zgjedhjeve mund të përcaktojë edhe rrugën që do të ndjekë Serbia me fqinjët dhe ish-rivalët e luftës, përfshirë Kosovën. Zoti Tadic kishte marrë një qëndrim më pajtues ndaj Kosovës. Ndërsa Nikolic ka thënë se do të braktiste rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian nëse kjo rrugë do të nënkuptonte që Serbia të hiqte dorë nga pretendimi mbi Kosovën dhe ka krijuar një aleancë me partinë kundër BE-së të ish-kryeministrit Vojislav Kostunica.


Problemi më i madh për Tadicin ishte rënia ekonomike dhe korrupsioni mes elitës. Populizmi i Nikolicit bëri jehonë tek votuesit të cilët vlerësuar kritikat e tij ndaj padrejtësisë sociale dhe korrupsionit në Serbi.

XS
SM
MD
LG