Lidhje

Mogherini përballë thirrjeve proruse në Serbi


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i bëri thirrje Serbisë të premten që të qëndrojë në orientimin e saj drejt integrimeve evropiane, në një fjalim në parlamentin serb që pengua nga brohoritjet pro ruse të deputeteve radikal.

Mogherini pritet me thirrje pro Rusisë në Serbi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Thirrjet "Serbia, Rusia, nuk na duhet Bashkimi Evropian" shoqëruan fjalimin e zonjës Mogherini, ndërsa disa deputetë po mbanin edhe parulla "Serbia nuk i beson Brukselit" dhe po qëllonin me pëllëmbë nëpër ulëset e parlamentit.

"Fjalimi im është i gjatë, prandaj bëhuni gati" tha zonja Mogherini në një çast derisa po vazhdonin brohoritjet.

Ajo u tha deputetëve serb se Serbia luan në rol thelbësor në Ballkan dhe ka përgjegjësi të madhe për ruajtjen e paqes rajonale. Serbia, Ballkani perëndimorë dhe Bashkimi Evropian, tha ajo, kanë nevojë për njëri tjetrin.

"Ky mesazh bëhet edhe më i rëndësishëm sot në një kohe të ndjeshme për këtë rajon dhe për gjithë Evropën", tha ajo duke ritheksuar mbështetjen për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"E kuptoj që keni një fushatë të gjatë elektorale dhe mbase është mirë të ruani zërin që t'u flisni qytetarëve tuaj", u tha zonja Mogherini deputetëve që brohoritën gjatë tërë fjalimit të saj.

Beogradi shpalli dje zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 2 prill dhe që shihen si një sprovë për orientimin politik të Serbisë, e cila po ecën nëpër rrugën e ngushtë ndërmjet aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me aleaten e saj, Rusinë.

Udhëheqësi i Partisë Radikale serbe Vojislav Sheshel, pjesë e së cilës ishte dikur edhe kryeministri aktual Aleksandër Vuçiç, tha të premten se brohoritjet në parlament ishin porosi e qartë se Serbia nuk dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, por të integrohet me Rusinë.

Zonja Mogherini ndodhet në një vizitë disaditëshe në Ballkanin perëndimorë në përpjekje për të siguruar vendet e rajonit se Bashkimi Evropian mbetet i hapur për zgjerim, me gjithë krizën në të cilën ndodhet ai.

Zonja Mogherini e cila në mbrëmje do të qëndrojë në Shqipëri, të shtunën do të qëndrojë në Kosovë, ku pritet të debatojë pos tjerash edhe çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi, që është kusht për përfshirjen e Kosovës në regjimin e udhëtimit pa viza në pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian.

Zonja Mogherini ndërmjetëson bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat u përfshinë në një valë tensionesh të larta politike në fillim të vitit 2017.

XS
SM
MD
LG