Lidhje

Vuçiç: Pas Parisit do të shpalosim kundërmasat ndaj tarifave të Kosovës


Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të premten se Serbia do të zbatojë një varg masash ndaj Kosovës nëse ajo nuk i heq tarifat e vendosura vitin e kaluar ndaj mallrave serbe.

Pas një takimi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, nga radhët e Listës serbe, e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi, ai tha se ato masa, pa shpjeguar se për çfarë bëhet fjalë, do të vihen në jetë pas takimit të Parisit, që pritet të mbahet me 1 korrik, me organizimin e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

“Kemi përgatitur masat dhe do të kujdesemi që ato të mos i godasin serbët e Kosovës. Për këtë shkak, ato masa janë me karakter të kufizuar, por disa janë janë tepër të fuqishme. Nuk do t’i zbatojmë ato deri pas përfundimit të takimit në Paris. Detyra ime në Paris është që t’i njoftoj përfaqësuesit e Evropës, pra, Gjermaninë, Francën dhe kancelaren Merkel dhe presidentin Macron, për përgjigjen e Serbisë pas 9 muajve të taksave anti-qytetëruese dhe të paligjshme”, tha ai.

Takimi i Parisit, pason atë që u mbajt në Berlin më 29 prill dhe shihet si një përpjekje për të ringjallur bisedimet e pezulluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, presidenti serb tha se nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh për statusin e Kosovës, në rast se nuk hiqen tarifat prej 100 për qind.

“Hiqni tarifat dhe do të bisedojmë për çfarë të doni. Nëse nuk i hiqni ato, do të bisedojmë për motin e mirë apo të keq. Por nuk do të ketë bisedime derisa ta dini ligjin dhe nuk filloni t’i respektoni normat e së drejtës ndërkombëtare. Kjo do të jetë porosia për kancelaren gjermane dhe për presidentin francez, me dëshirat më të mira që bisedimet në të ardhmen të kenë sukses”, tha presidenti serb.

Qëndrimet e tij nxitën reagime në Kosovë. Kryeministri Ramush Haradinaj i bëri thirrje presidentit serb që “të prezantojë vlera evropiane dhe jo qëndrime të cilat i ke prezantuar në të kaluarën, qëndrime këto që kanë shkaktuar tragjedi dhe dhimbje. Shteti i Kosovës është edhe shteti i serbëve të Kosovës, një shoqëri që ne e ndajmë së bashku. Neve na duhet shpresë dhe Kosova është gati për marrëveshje me të cilën pranohet realiteti i dy shteteve, në kufijt ekzistues dhe respekt reciprok”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar për shkak të reagimit të Beogradit ndaj vendimit te qeverisë në Prishtinë nëntorin e kaluar që t’u vendosë tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG