Lidhje

Serbia në prag të zgjedhjeve


Synimi i Serbisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian do të vihet në provë në zgjedhjet e përgjithshme këtë fundjavë. Zgjedhjet vënë përballë demokratët në pushtet, që shihen si pro-perëndimorë dhe nacionalistët të cilët premtojnë vende pune, rimëkëmbje ekonomike dhe lidhje më të ngushta me Rusinë.

Rreth shtatë milionë votues në Serbi do të zgjedhin presidentin e vendit, parlamentin me 250 vende dhe këshillat vendore. Votimi i trefishtë zhvillohet mes problemeve të thella ekonomike, papunësisë dhe pakënaqësive të mëdha për rënien e standardeve të jetesës.

Votimi i së dielës është kyç për planet e Serbisë për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, pas izolimit të viteve 90.

Zgjedhjet mund të përcaktojnë gjithashtu nëse Serbia do të vazhdojë pajtimin me fqinjët, duke përfshirë Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Dy pretendentët kryesorë janë Partia Demokratike me udhëheqësin e saj Boris Tadiç, të cilët janë pro Bashkimit Evropian dhe Tomislav Nikoliç, i Partia Progresiste, që ka mbështetjen e Rusisë.

Zoti Tadiç, i cili dha dorëheqjen si president për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, tha dje në një miting të Partisë Demokratike se është i bindur për fitoren.

"Ne do t'i fitojmë këto zgjedhje, do të fitojmë edhe në vitin 2016. Do të fitojmë sepse kemi një ekip që është më i forti, kemi grupin më kompetent", tha zoti Tadiç.

Në muajin mars, zoti Tadiç bëri që Serbia të marrë statusin e kandidatit për në BE, pas arrestimit të shumëpritur të Ratko Mlladiçit dhe Radovan Karaxhiçit.

Tomislav Nikoliç, ish aleat i Millosheviçit, ka gjetur mbështetje mes votuesve me komentet e tij populiste, duke kritikuar padrejtësitë e mëdha sociale dhe korrupsionin në Serbi, si dhe me premtimet për vende pune, siguri financiare dhe investime të huaja prej miliarda dollarësh në qoftë se ai dhe partia e tij të fitojnë.

Megjithë shpërthimet e herëpashershme të retorikës nacionaliste, fushata parazgjedhore është përqendruar kryesisht tek ekonomia e dobët, ku papunësia arrin 24 për qind dhe te borxhi i huaj prej 30 miliardë dollarësh.

Problemi më i madh i zotit Tadiç mbetet rënia ekonomike dhe korrupsioni brenda elitës në pushtet.

"Njerëzit duhet të shkojnë e të votojnë në këto zgjedhje," thotë Aleksandar Ristiç, një 30-vjeçar që ka një biznes të vogël në Beograd. "Çdo votë mund të vendosë fatin e Serbisë. Nëse u beson apo jo politikanëve, kjo është çështje personale".

Zoti Nikoliç, i cili më parë ka humbur me rezultat të ngushtë dy zgjedhje presidenciale kundër zotit Tadiç, thotë se nga një anti-perëndimor i vendosur tani mbështet anëtarësimin në BE dhe se e do Serbinë si "në Perëndim ashtu edhe në Lindje."

Asnjëri nga kandidatët për president, Tadiç dhe Nikoliç nuk ka gjasa të marrin më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë, prandaj pas dy javësh pritet të zhvillohet një balotazh.

XS
SM
MD
LG