Lidhje

Përurohet presidenti serb - rithekson qëndrimin midis lindjes e perëndimit


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premten në mbrëmje se Serbia dëshiron të mbetet në rrugën evropiane, të këtë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, por të ruaj lidhjet tradicionale me Moskën.

Ai ritheksoi kësisoj qasjen e tij në ceremoninë e përurimit në postin e presidentit të Serbisë, e cila u ndoq nga mijëra mysafirë përfshirë edhe delegacionet nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Presidenti Vuçiç i cili u betua në këtë post më 31 janar pas zgjedhjeve presidenciale të muajit prill, tha gjatë ceremonisë se Serbia dëshiron të ndërtojë ura miqësie me vendet fqinjë ne Ballkanin Perëndimorë.

"Po, ne serbët, dhe ju kroatët, boshnjakët, malazezët, shqiptarët dhe maqedonasit, së bashku mund të lëvizim malet, jo duke krijuar jugosllavi të reja, por duke punuar së bashku dhe duke luftuar së bashku për një të nesërme më të mirë për qytetarët tanë të varfër", tha ai.

Presidenti serb tha se në marrëdhëniet me fuqitë e mëdha Serbia nuk dëshiron të ketë hendeqe.

Gjendemi në rrugën evropiane, duam të mbetemi aty, të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë. Duam marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por krenohemi njëkohësisht me faktin se Rusia është jo vetëm miku ynë tradicional, por edhe vendi më të cilin forcojmë marrëdhëniet dypalëshe dhe ndaj të cilit tregojmë miqësi të sinqertë edhe atëherë kur të tjerët në botë kanë qëndrime tjera", tha ai.

Alekasandër Vuçiç, një ish ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, ishte pjesë e Partisë Radikale Serbë të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel deri në vitin 2008. Gjatë luftës në Kosovë, ai kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Aleksandër Vuçiç, pasoi në këtë post ish shefin e tij Tomislav Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij pro ruse.

Posti i presidentit është më shumë ceremonial në Serbi, por, Vuçiç e ka bërë të qartë se synon të luaj rolin udhëheqës në politikën serbe.

Më 15 qershor ai mandatoi kandidaten Ana Bërnabic për postin e kryeministres, duke i hapur rrugën që ajo të bëhet kryeministrja e parë serbe dhe njëkohësisht për herë të parë një femër që hapur ka pranuar orientimin e saj seksual.

Parlamenti 250 vendesh do të fillojë të shtunën debatin mbi kandidaturën e zonjës Bërnabiç. Partia e presidentit, përbën shumicën në parlament dhe së këndejmi votimi duket më shumë një veprim formal.

Kandidimi i zonjës Bërnabiç, nxiti kritika të konservatorëve, përfshirë edhe mospajtimet e disa prej aleatëve të Vuçiçit.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të viti 2008 por është përfshirë në një proces normalizimi në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG