Lidhje

Kryeministri serb në Moskë për t'u takuar me Putinin


"Serbia është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por do të punojë shumë për të përmirësuar marrëdhëniet me aleaten e saj tradicionale, Rusinë", i tha agjencisë së lajmeve Reuters, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të së dielës në Serbi.

Votimet do të jenë sprovë për popullaritetin e Vuçiçit, kandidatit kryesor në zgjedhje si dhe për Partinë e tij Përparimtare të qendrës së djathtë si dhe reformat ekomomike dhe përpjekjet për t'u afruar me Bashkimin Evropian.

"Serbia është në rrugën evropiane dhe ky është qëllimi ynë strategjik. Ne duam që shoqëria jonë të jetë sipas modeleve më të zhvilluara të vendeve të Evropës Perëndimore", tha ai në fundjavë.

Por, ai tha se do të punojë fort si president për të ruajtur marrëdhëniet e mira me Rusinë ortodokse, po ashtu.

Pushtetet janë qartazi të ndara në Serbi ndërmjet presidentit dhe kryeministrit. Sipas kushtetutës, presidenti nënshkruan ligjet, komandon ushtrinë, kryeson këshillin kombëtar të sigurisë dhe përfaqëson vendin në botë, por politika ekonomike dhe marrëdhëniet me jashtë janë në duart e kryeministrit.

Serbia, e cila gjatë viteve të 90-ta u pa si e flakur për shkak të rolit të saj në luftërat që çuan në shkatërrimin e Jugosllavisë, pret të përmbyllë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2019.

Shumë serbë mbeten të rezervuar për t'u bashkuar me bllokun dhe i shohin vendet euro - perëndimore si avokatë të zëshëm të bombardimeve të NATO-s të vitit 1999 për të ndalur vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Kosovë, ku mijëra civilë ishin vrarë.

"Ne duhet t'u tregojmë njerëzve se çfarë po bëjmë bashkë me BE-në", tha Vuçiç, dikur një nacionalist zjarrtë. "Ne duhet të tregojmë rrugët dhe projektet konkrete".

Perëndimi e sheh integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si një mënyrë për të stabilizuar rajonin që po shërohet nga një dekadë luftërash dhe trazirash ekonomike.

Rusia kundërshton integrimin e Ballkanit Perëndimorë, përfshirë Serbinë, në NATO e në BE dhe është vënë në përpjekje për të zgjeruar ndikimin e saj.

Të hënën Vuçiç udhëtoi në Moskë për të takuar presidentin, Vladimir Putin, për të biseduar mbi tregtinë dhe bashkëpunimin ushtarak.

Vitin e kaluar Rusia i dhuroi gjashtë avionë ushtarak MIG-29 dhe Vuçiç tha se kësaj radhe do të bisedoje me Putinin për raketat tokë ajër.

"Në po diskutojmë edhe bashkëpunimin ekonomik me Rusinë por edhe me Kinën", tha ai.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG