Lidhje

Sfidat e sistemit të drejtësisë në Kosovë


Sfidat e sistemit të drejtësisë në Kosovë
Sfidat e sistemit të drejtësisë në Kosovë

Në Kosovë, autoritetet paralajmëruan ndryshime në infrastrukturën ligjore për të mundësuar një shkallë më të lartë të fuqisë dhe pavarësisë së prokurove. Këto paralajmërime u bënë gjatë paraqitjes së një raporti të punës së prokurove në Kosovë, me ç’rast u diskutuan përpjekjet për të tejkaluar sfidat me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, ndër më të kritikuarit në Kosovën e pasluftës.

Përfaqësues vendas e ndërkombëtarë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, thanë sot se vendosja e sundimit të ligjit është një prej segmenteve më të rëndësishme të integrimeve evropiane. Ata e vunë theksin në përpjekjet për të tejkaluar sfidat me të cilat përballet ky sistem, ndër më të kritikuarit në Kosovën e pasluftës. Kryeprokurori i EULEX-it Johhanes van Wressvijk tha se gjërat kanë ndryshuar pozitivisht gjatë tri viteve të fundit.

“Prandaj i bëj thirrje shoqërisë civile që të pushojë së ankuari për prokurorët e korruptuar. Ata që ishin të tillë, nuk janë më në shërbim. Gjatë vitit 2010 kishte vetëm dy raste të ankesave ndaj prokurorëve që në pikëpamje statistikore është mjaft domethënëse. Kohërat kanë ndryshuar në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi tha se po rritet besimi tek prokurorët të cilët nga ana e tyre kanë detyra me peshë përballë proceseve të gjithëmbarshme në Kosovë.

“Në duart e prokurorëve është një nga segmentet më të rëndësishme të integrimeve evropiane të Kosovës. Sigurimi i sundimit të ligjit dhe prokurorët e dinë se këtë ia kanë borxh Kosovës”, tha ai.

Zoti Kabashi tha se një ndër synimet kryesore është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nënvizuar rritjen e numrit të rasteve të ndjekjeve të personave të përfshirë në këto dukuri.

“Vetëm gjatë muajit të kaluar, vetëm në Prishtinë janë rritur 38 akuza për korrupsion”, tha kryeprokurori Kabashi.

Ministri i drejtësisë Hajredin Kuqi, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, paralajmëroi plotësimet dhe ndryshimet e infrastrukturës ligjore.

“Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar po rishikohen kodet penale, në mënyrë që ato të reflektojnë praktikat më të njohura dhe më të përsosura ndërkombëtare. Në këtë fushë po bashkëpunohet me një sërë ekspertesh vendor dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që prokurorët tanë të iu jepet forca dhe mjetet e tjera të nevojshme për luftimin e kriminalitetit dhe të krimit të organizuar, që të jenë më efikas, gjithmonë duke respektuar të drejtat e njeriut, ashtu si bëhet në vendet demokratike të botës”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Sistemi i drejtësisë, sipas vëzhguesve, vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar, garantimi i pavarësisë së prokurorëve e gjykatësve dhe ndërtimi i një sistemi shumetnik e të paanshëm të bazuar në parimet e qëndrueshme të sundimit të ligjit.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG