Lidhje

Shëmbinjtë nënujorë dhe ndryshimi i klimës


Shkëmbinjtë nënujorë koralorë shërbejnë si strehë për një të tretën e florës dhe faunës së oqeaneve. Shkëmbinjtë nënujorë mbrojtjen vijën bregdetare nga stuhitë dhe sigurojnë ushqim dhe vende pune për rreth 1 miliard njerëz. Rritja e temperaturave të oqeaneve dhe rritja e aciditetit, megjithatë, po i shkatërron ato në një ritëm të shpejtë. Rreth 80 për qind të koraleve në Karaibe kanë të ngordhur, po ashtu edhe gati 75 për qind e shkëmbinjve koralorë të Australisë, që janë më të mëdhatë në planet. Por një studim i ri, sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës, Rosanne Skirble, jep shpresë se një tip i ri koralesh, tolerantë ndaj ngrohjes, mund të ndihmojë në ruajtjen e shkëmbinjve nënujorë në një botë më të ngrohtë

Në një lagunë të largët të Paqësorit në Samoan Amerikane, shkencëtarët janë duke studiuar një specie koralore që jeton në dy pellgje ngjitur në të njëjtën formacion shkëmbor. I vetmi ndryshim është se njëri pellg është më i ngrohtë se sa tjetri, thotë biologu Stephen Palumbi:

“Këto akuariume kanë korale që i shkëputëm nga formacioni sot në mëngjes. Por deri pasdita, njëri është gjallë, ndërsa tjetri i ngordhur. Pra, cili është ndryshimi?”

Koralët e marrë nga vendi më i ftohtë u transplantuan në më të ngrohtin. Pas gati një viti, transplantët u testuan në kushte aboratorike të ngrohura. Sipas studimit, të përshkruar në revistën akademike Science, transplantët ishin rreth 50 për qind më pak tolerantë ndaj ngrohjes se sa koralët që kishin jetuar në pellgun më të ngrohtë gjatë gjithë kohës. Megjithatë, të ardhurit e rinj u përshtatën shpejt në krahasim me mënyrën se si krijesat natyrisht do të evoluonin me kalimin e kohës, thotë zoti Palumbi.

“Sipas vlerësimit tonë do të duhet rreth 50 deri në 100 vjet që evolucioni të gjenerojë këtë lloj ndryshimi, kryesisht për shkak se koralet janë organizma që jetojnë gjatë dhe koha ndërmjet brezave është më e gjatë. Pra evolucioni punon mjaft ngadalë në ato raste, ndërsa fiziologjia duket se reagon shumë shpejt ndaj ndryshimeve mjedisore dhe më pas i mbron këto korale individuale nga stresi i shkaktuar nga ngrohja.”

Por zoti Palumbi thotë se organizmat nga pjesa më e ngrohtë e formacionit koralor kishin një avantazh të dyfishtë.

“Gjenet i ndihmojnë të jetojnë në këtë mjedis, por ashtu edhe fiziologjia për t’iu përshtatur mjedisit. Koralet nga pellgu i ftohtë e nuk kishin gjenet e ujit të ngrohtë.”

Zoti Palumbi thotë se studimi tregon se ndërsa ngrohen oqeanet, disa korale mund të përshtaten, por ai është i shqetësuar se ato nuk përshtaten aq shpejt sa do të ngrohet planeti.

“Por kjo aftësi për t’u përgjigjur fiziologjikisht dhe për të evoluar mund t’i japë disa dekada kohë, pak kohë shtesë për t’iu përshtatur ndryshimit të klimës. Kjo na jep pak kohë shtesë për të zgjidhur problemin.”

Rezultatet e studimit, thotë zoti Palumbi, mund të inkurajojnë vendimmarrësit për të vendosur përparësitë për të mbrojtur shkëmbinjtë koralorë që janë tolerantë ndaj ngrohjes. Ai shton se ndërsa rriten temperaturat e oqeaneve, korale më të përshtatshëm mund të ndihmojnë në ripërtëritjen e shkëmbinjve të dëmtuar nënujorë.
XS
SM
MD
LG