Lidhje

Një mburojë për t’u ruajtur nga peshkaqenët


Sulmet e peshkaqenëve janë trefishuar gjatë dekadës së fundit sipas shkencëtarëve të Institutit të Australisë Jugore për Kërkime dhe Zhvillim. Për të ndihmuar në trajtimin e këtij problemi, palombarët në Afrikën e Jugut thonë se kanë pasur shumë sukses me përdorimin e një “mburoje nga peshkaqeni” që ndihmon në largimin e tyre.

Pesë vetë kanë humbur jetën nga sulmet e peshkaqenëve në brigjet jugperëndimore të Australisë në më pak se një vit. Peshkaqenët kanë një shqisë të gjashtë që i lejon të dallojnë fushat elektromagnetike shkaktuar nga lëvizja e peshqve dhe gjallesa të tjera.

Të apasionuarit pas oqeaneve në Cape Town po përdorin një paisje që i largon peshkaqenët duke lëshuar një formë vale elektrike. Mburoja ndaj peshkaqenëve u shpik në Afrikën e Jugut në vitet 1990 dhe tani prodhohet në Australi. Palombarët e Universitetit të Departamentit të Zoologjisë në Cape Town janë mes përdoruesve të Mburojës ndaj Peshkaqenëve. Andrea Plos, kryepalombare shpjegon se nga vjen fusha magnetike që rrethon përdoruesin.

“Është pjesa si kamzhik e mburojës nfaj peshkaqenit. Duhet pasur kujdes që të mis përplasesh me të, apo ta prekësh. Ka prirjen të të japë një dridhje”.

Për Plosin dhe palombarët e tjerë, mburoja nga peshkaqeni të jep një qetësi mendore.

“Si palombarë shkencorë ne shpenzojmë një kohë të gjatë në ujë, shpesh në zona me rrezikshmëri të lartë dhe pa mundësi për të parë”.

Deri tani mburoja nga peshkaqeni ka funksionuar. Mburoja nga peshkaqeni bllokon shqisën e tij të gjashtë. Ndërsa peshkaqeni i afrohet paisjes, atij i shkaktohen spazma përreth hundës që e bën atë të largohet. Të tjerë që përdorin paisjen janë sërfistët si Neil Uys.

Ai ndjehet më i sigurt kur përdor paisjen megjithëse mbetet i shqetësuar për peshkaqenë që mund të jenë gati për të sulmuar apo për të gjetur një pre.

“Nëse lëviz me kujdes mund t’i shmangësh aksidentet. Kur një peshkaqen i bardhë i madh të vë në shënjestër, nuk mund të bësh shumë dhe me këtë paisje krijon një ndjesi sigurie”.

Një studim australian i kohëve të fundit për efektet e mburojës nga peshkaqeni tek sjellja e Peshkaqenëve të mëdhenj të bardhë ka përfunduar.

Allison Kock ishte një nga shkencëtarët e përfshirë në studim që e vunë në provë paisjen në kushtet kur peshkaqenët ishin nën kontroll dhe të qetë dhe duke përdorur një balenë të rreme kur peshkqenët ishin në momente të kërkimit të presë.

“Ne zbuluam se mburoja e peshkaqenit kishte ndikim në sjelljen e tij kur përdorëm balenën e rreme dhe se kishte shumë më pak sjellje grabitqare me balenën e rreme kur paisja ishte në përdorim”.

Sulmi i fundit me peshkaqenë në Fish Hoek ishte në vitin 2011. Në klubin e mbrojtjes ujore, menaxheri për sigurinë e ujit, Mike Schilperoort ka zhvilluar një përdorim të ri për mburojën nga peshkaqeni.

“Ne e kemi marrë mburojën nga peshkaqeni dhe e kemi përshtatur për të plotësuar nevojat tona, duke e vënë tek një bovë që e nxjerrim në ujë dhe vendosim bova të tilla nga 10 metra larg nga njëra-tjetra”.

Rrezja elektronike e funksionimit është pesë metra dhe Mike Schilperoort vendos mburojat nga peshkaqenët nga 25 bova me largësi 10 metra nga njëra tjetra.

Teoria është se kjo krijon një mburojë 250 metrash. Kjo përdoret për trajnim në klub. Një nga anëtaret e mbrojtjes ujore, Samantha Alford ndjehet e sigurt të notojë në këto ujra falë kësaj paisjeje dhe atyre që kanë detyrën të dallojnë peshkaqenët dhe paralajmërojnë notuesit.

“Shumë njerëz mendojnë se deti është një vend i rrezikshëm por për mua është shtëpia ime, këtu jam rritur dhe e dua. Ndjehem shumë e sigurt”.

Për të mirën e peshkaqenëve dhe njerëzve që hyjnë në oqean, të gjitha metodat për shmangien e konfliktit mes tyre duhet të studiohen dhe të përdoren edhe nëse janë vetëm pjesërisht efektive.

XS
SM
MD
LG