Lidhje

SHBA: Ron Paul ul ritmin e fushatës së tij presidenciale


Ligjvënësi amerikan Ron Paul thotë se ai po e ul ritmin e fushatës së tij presidenciale.

Përfaqësuesi i shtetit të Teksasit në Dhomën e Përfaqësuesëve tha dje se ai do të ndalë shpenzimin e parave për zgjedhjet paraprake, por do të vazhdojë të jetë në betejën presidenciale përballë kandidatit tjetër republikan Mitt Romney në konventën republikane.

Ron Paul tha se ai së shpejti do të përshkruajë strategjinë e tij për të mbledhur delegatë në konventë, në mënyrë që të ketë mundësi të ndikojë në politikat e partisë republikane dhe të marrë pjesë në konventën kombëtare që mbahet këtë vit me “ një mesazh të fortë” sipas fjalëve të tij.

Një kandidat republikan duhet të ketë mbështetjen e 1,144 delegatëve që të fitojë kandidimin në emër të partisë për garën presidenciale. Mitt Romney ka rreth 973 delegatë, dhe pritet që të grumbullojë gjatë këtij muaji numrin e mjaftueshëm të delegatëve për kandidimin e partisë republikane. Ron Paul ka aktualisht mbështetjen e 104 delegatëve.

Dy rivalët kryesorë të Mitt Romneyit, konservatori Rick Santorum dhe ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich, u tërhoqën nga gara gjatë muajve prill dhe maj, duke lënë Ron Paul si kundërshtarin e vetëm brenda partisë republikane për zotin Romney gjatë dy javëve të fundit.

XS
SM
MD
LG