Lidhje

SHBA, 3 qytete mund të humbasin fondet federale


US Attorney General William Barr
US Attorney General William Barr

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha të hënën se tre qytete në SHBA kanë "lejuar dhunën dhe shkatërrimin e pronës" dhe kërcënoi se do të shkurtojë fondet federale nëse ato nuk marrin masa për të rivendosur rendin dhe ligjin.

Sipas një njoftimi për shtyp, Nju Jorku, Portlandi i shtetit Oregon dhe qyteti Siatëll i shtetit Uashington, rrezikojnë humbjen e fondeve.

"Kur udhëheqësit shtetërorë dhe lokalë pengojnë oficerët dhe agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit të bëjnë punën, kjo rrezikon qytetarët e pafajshëm që meritojnë të mbrohen, përfshirë ata që përpiqen të mblidhen dhe të protestojnë në mënyrë paqësore", tha Prokurori i Përgjithshëm William Barr.

"Ne nuk mund të lejojmë që dollarët e taksave federale të shpenzohen kot kur në pikëpyetje është siguria e qytetarëve. Shpresoj se qytetet e identifikuara sot nga Departamenti i Drejtësisë do të ndryshojnë drejtim dhe do të tregohen serioze sa i përket kryerjes së funksionit themelor të qeverisë dhe do të fillojnë të mbrojnë qytetarët e tyre", tha kreu i Departamentit të Drejtësisë, Barr.

Kryebashkiaku i Portlandit, Ted Wheeler, ai i Nju Jorkut, Bill de Blasio dhe kryetarja e Bashkisë së Siatllit Jenny Durkan iu përgjigjën deklaratës së Departamentit të Drejtësisë.

Çast nga protestat në Portland, Oregon.
Çast nga protestat në Portland, Oregon.

"Kjo është tërësisht politike dhe antikushtetuese. Presidenti po luan lojëra të ulta politike me fondet e akorduara nga Kongresi," thanë ata në një deklaratë të përbashkët. "Qytetet tona po bashkojnë komunitetet; qytetet tona po marshojnë përpara pasi luftuan me pandeminë dhe u përballën me krizën më të rëndë financiare që nga Depresioni i Madh."

Ata akuzuan administratën Trump si të papeshuar dhe se po i "shmanget përgjegjësisë, duke e hedhur fajin diku tjetër për të mbuluar dështimin e saj".

Lista e qyteteve të zgjedhura nga Departamenti i Drejtësisë ishte në përgjigje të një shkrese të nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë më 2 shtator, ku i kërkohej Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit të shqyrtonte shkurtimin e fondeve federale në "juridiksionet anarkiste".

Departamenti i Drejtësisë tha se listës mund t’i shtohen edhe qytete të tjera.

Pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë më 25 maj në Mineapolis të Minesotës, në qytetet e mbarë Amerikës shpërthyen protesta.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, në qytetin e Nju Jorkut, incidentet me armë zjarri u shtuan 177% në korrik 2020 krahasuar me korrikun e një viti më parë. Në të njëjtën kohë, qyteti shkurtoi 1 miliard dollarë nga buxheti i policisë, tha Departamenti në deklaratë.

Në Portland pati më shumë se tre muaj protesta të dhunshme dhe një rritje prej 140% të incidenteve me armë zjarri në qershor dhe korrik, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha Departamenti i Drejtësisë. Gjatë asaj kohe, qyteti shkurtoi fondet e policisë dhe kryetari i bashkisë së qytetit, Wheeler, refuzoi ofertën e administratës Trump për ndihmë federale në zbatimin e ligjit dhe frenimin e dhunës, sipas Departamentit të Drejtësisë.

Policia në Siatlle
Policia në Siatlle

Zyrtarët në Siatëll lejuan protestuesit të krijonin një zonë "autonome" në pjesën e qendrës së qytetit, e cila qëndroi në gjendje të tillë për një muaj. Gjatë asaj kohe, krimi u rrit me 525%, sipas Departamentit të Drejtësisë, dhe dy adoleshentë u qëlluan për vdekje. Kryebashkiaku dhe guvernatori refuzuan ndihmën federale, tha Departamenti.

Në fillim të shtatorit, Presidenti Trump tha se administrata e tij "do të bënte gjithçka që ishte në dorën e saj për të mos lejuar kryebashkiakët e dobët dhe qytetet jashtë kontrollit që të marrin fonde federale pasi lejuan që anarkistët të dëmtonin njerëzit, të digjnin ndërtesa dhe të shkatërronin jetën dhe bizneset".

Nuk është e qartë se nga çfarë fondesh federale mund të privohen këto qytete.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG