Lidhje

SHBA, a do të ketë dëshmitarë në gjyqin e Presidentit në janar?


McConnell (majtas) dhe Schumer

Në SHBA, udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McConnell hodhi poshtë ofertën e udhëheqësit demokrat Chuck Schumer që disa nga ndihmësit kryesorë të Presidentit Donald Trump të dëshmojnë në gjyqin që do të shqyrtojë akuzat për shkarkimin e presidentit.

Senatori McConnell e quajti përpjekjen e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët për të shkarkuar Presidentin Trump, një proces të nxituar dhe të sajuar keq.

Votimi i akuzave që synojnë shkarkimin e presidentit do të bëhet të mërkurën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Senatori McConnell tha se nuk është përgjegjësi e Senatit të angazhohet në zbulimin e mëtejshëm të fakteve për të "kërkuar në mënyrë të dëshpëruar mënyrat për të arritur tek shkarkimi.”

Nga ana e tij, senatori demokrat Schumer tha se Senati duhet të dëgjojë dëshmitë e katër zyrtarëve të Presidentit Trump, përfshirë shefin e stafit në detyrë të Shtëpisë së Bardhë Mick Mulvaney dhe ish këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton, rreth asaj që ata dinë lidhur me përpjekjet e zotit Trump për të bindur Ukrainën të hetonte një prej sfiduesve të tij kryesorë demokratëve për zgjedhjet e 2020-s, ish nënpresidentin Joe Biden.

Përpjekja e Presidentit Trump në drejtim të Ukrainës erdhi në një kohë që ai kishte bllokuar përkohësisht 391 milion dollarë ndihmë ushtarake që i nevojiteshin Ukrainës për të luftuar separatistët pro-rusë në lindje të vendit.

Por senatori McConnell, i cili ka deklaruar se shanset që Senati ta shkarkojë presidentin janë zero, tha se kërkesa e zotit Schumer për më shumë dëshmi "sugjeron që edhe demokratët që nuk e pëlqejnë këtë president kanë filluar të kuptojnë se sa dramatikisht i pamjaftueshëm ka qenë procesi i ndërmarrë nga Dhoma e Përfaqësuesve."

Zoti McConnell tha se të pranosh dëshmi gjatë gjykimit në Senat, kjo do të krijonte një "precedent të frikshëm". Ai tha se nuk është roli i Senatit të organizojë më shumë gjetje faktesh dhe hetime. Përkundrazi, detyra e tij është të shqyrtojë dhe të votojë për dy akuzat e paraqitura nga Dhoma e Përfaqësueve.

Demokratët e zkuaojnë Presidentin Trump për abuzim të pushtetit për çështje që lidhen me Ukrainën dhe për pengim të hetimeve të Kongresit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG