Lidhje

Operacionet ushtarake amerikane në Afrikë


Shtetet e Bashkuara po zgjerojnë praninë ushtarake në Afrikë për t’iu kundërvënë ndikimit në rritje të al-Kaidës tek popullata e rajonit Magreb të Afrikës Veriore dhe grupe të tjera militante në zonën veriore dhe perëndimore të kontinentit. Por zyrtarët amerikanë nuk konfirmojnë njoftimet se përpjekjet anti-terroriste në atë rajon kanë filluar para sulmit të muajit të kaluar, në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ku gjetën vdekjen 4 amerikanë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Pentagon, Luis Ramirez sjell hollësi.

Shqetësimet amerikane kanë qënë në rritje, ndërsa militantët kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Malit, madje bënë të ditur praninë e tyre në mbarë rajonin nëpërmjet një fushate bombardimesh dhe sulmet të tjera nga Nigeria deri në Libi. Sulmi, që goditi më rëndë Shtetet e Bashkuara ishte vrasja e ambasadorit amerikan në Libi, Christopher Stevens dhe 3 amerikanëve të tjerë në një sulm kundër konsullatës amerikane në Bengazi. Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta konfirmoi kohët e fundit se sulmi në Bengazi ishte një operacion terrorist.

"Arsyeja që unë mendoj se është mëse e qartë se kemi të bëjmë me një sulm terrorist qëndron në faktin se një grup terrorist kreu sulmin kundër konsullatës dhe kundër individëve tanë. Cilët terroristë ishin të angazhuar në këtë sulm nuk është përcaktuar ende nga hetimet tona".

Që prej sulmit në Bengazi, Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar ekipe të përgjigjes së shpejtë në ambasadat amerikane në Libi dhe Jemen. Para sulmit, Pentagoni kishte filluar punën për zgjerimin e pranisë së tij në Afrikën Veriore, duke dërguar ekipe të vogla me forca të operacioneve speciale dhe personel tjetër për të ndihmuar dhe stërvitur ushtritë e disa vendeve afrikane, të cilat po përpiqen të përmirësojnë aftësitë anti- terroriste.

Zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes nuk konfirmojnë njoftimet sipas të cilave në atë rajon mund të jenë dërguar komando për të parandaluar kërcënime specifike kundër personelit diplomatik amerikan.

Përpjekjet amerikane hedhin dritë mbi shqetësimet, që janë shtuar me kalimin e viteve, se al-Kaida dhe grupe të tjera të lidhura me të janë shtuar në Afrikë, megjithëse janë vënë deri diku nën kontroll në vende të ndryshme.

Komanda amerikane në Afrikë u ngrit gjatë administratës së Presidentit George W. Bush dhe ka punuar për zbulimin e kërcënimeve, duke dërguar ekipe në atë kontinent për të kryer misione zbulimi, vëzhgimi dhe trajnimi, përfshirë edhe në Mali. Zyrtarë të Komandës kanë thënë vazhdimisht se nuk kanë plane për baza të reja të përhershme në Afrikë dhe se ekipet që janë dërguar atje kanë qenë të vogla në numër.

Në takimin me gazetarët, zëdhënësi i Pentagonit, George Little përjashtoi mundësinë e krijimit të një pranie më të madhe amerikane në vendet e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore, ose ECOWAS.

"Tani për tani ne nuk kemi plane për operacione të njëanshme ushtarake as në Mali dhe as në ndonjë pjesë tjetër të Afrikës. Si gjithnjë ne ndjekim me vemendje zhvillimet në atë rajon dhe jemi gati të përgjigjemi nëse partnerët tanë kërkojnë ndihmë".

Zëdhënësi Little dhe zyrtarë të tjerë të Pentagonit nuk japin hollësi rreth formave të ndihmës që kanë kërkuar vendet partnere afrikane. Mungesa e informacioneve specifike rreth operacioneve ka nxitur spekulime mes kritikëve, të cilët vënë në pikpyetje synimet amerikane në atë rajon. Ozzie Nelson është specialist i anti-terrorizmit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Nuk besoj se kemi të bëjmë me një çështje sekrete, por me një situatë delikate. Një prej aftësive themelore të forcave të operacioneve speciale dhe disa elementëve të ushtrisë është të stërvisë dhe pajisë forcat lokale. Këto forca janë atje për të ndihmuar me stërvitje dhe këshilla dhe vetë operacionet duhet të kryhen nga qeveria lokale dhe jo forcat amerikane”.

Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të balancojnë interesat amerikane – të shpartallojnë grupet terroriste në territoret e vendeve partnere, duke mos krijuar përshtypjen tek popujt e atyre vendeve se Amerika po ushtron tepër ndikim mbi qeveritë e tyre, gjë që, sipas analistëve, mund të shndërrohej në një faktor destabilizues.
XS
SM
MD
LG