Lidhje

SHBA, afrohet uragani Dorian, banorët përgatiten


Qendra Kombëtare e Uraganëve në SHBA tha se Uragani Dorian është forcuar dhe shndërruar në stuhi të kategorisë 4 duke e quajtur atë "jashtëzakonisht të rrezikshëm".

Stuhia po lëviz drejt ishujve Bahamas dhe shtetit të Floridës.

Qeveria e Ishujve Bahamas ka lëshuar një paralajmërim ndërsa Presidenti i SHBA Donald Trump ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shtetin e Floridës.

Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se Dorian po lëviz ngadalë, mund të prodhojë shira të zgjatur, si dhe erëra e stuhi të mëdha, duke çuar në përmbytje të rrezikshme për jetën.

Dorian po lëviz me erëra me shpejtësi maksimale prej 215 kilometrash në orë.

Parashikuesit e motit thonë se Dorian mund të zbarkojë në Floridën juglindore të hënën, megjithatë modelet e fundit parashikojnë gjithashtu mundësinë që stuhia të kthehet drejt veriut përgjatë bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara. Ata thonë se lëvizja e uraganit ende është shumë e pasigurt.

Stuhitë e kategorisë 4 janë të afta për dëme katastrofike - shkatërrimin e shtëpive dhe ndërtesave, copëtimin e rrugëve dhe rrëzimin e pemëve apo linjave të energjisë.

Shpallja e emergjencës për Floridën hap rrugën për vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare.

Gjeneral Majori i Gardës Kombëtare në Florida, James Eifert tha se 2,000 trupa u mobilizuan të premten, dhe 2,000 të tjerë iu bashkuan atyre të shtunën.

Presidenti Trump ka anuluar një udhëtim të planifikuar në Poloni për "të siguruar që të gjitha burimet e qeverisë federale të përqendrohen në stuhinë që po mbërrin ... është diçka shumë e rëndësishme për mua të jem këtu," tha ai të enjten.

Presidenti zotëron disa prona në Florida, duke përfshirë vendpushimin Mar-a-Lago në Palm Beach dhe një rezort në Miami, të cilin ai e ka sugjeruar si një vend të mundshëm për mbledhjen e Grupit të Shtatëshes vitin e ardhshëm.

Zyrtarët në Florida nuk kanë udhëzuar ende për ndonjë evakuim masiv sepse lëvizja e stuhisë është ende e paqartë. Banorët kanë mbushur serbatorët e makinave për të qenë gati në rast se duhet të largohen nga shtëpitë e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG