Lidhje

SHBA, afrohet uragani i madh Dorian


Në Florida, njerëzit blejnë ushqime dhe ujë në pritje të uraganit
Në Florida, njerëzit blejnë ushqime dhe ujë në pritje të uraganit

Në SHBA, Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se Uragani Dorian pritet të shndërrohet në "një uragan të madh gjatë të premtes."

"Dorian ka të ngjarë të mbetet një uragan jashtëzakonisht i rrezikshëm ndërsa lëviz pranë Bahamasit veriperëndimor dhe i afrohet gadishullit të Floridës gjatë fundjavës," tha Qendra.

Qeveria e Bahamasve ka lëshuar udhëzime për të vëzhguar uraganin në disa pjesë të vendit, ndërsa Guvernatori i Floridës Ron DeSantis ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të gjithë shtetin.

Reshjet e shiut të uraganit Dorian mund të sjellin përmbytje të rrezikshme për jetën, thotë qendra e uraganëve.

Dorian është duke lëvizur me erëra prej 165 kilometrash në orë.

Sinoptistët parashikojnë që uragani të godasë Floridën juglindore të hënën herët si një stuhi e kategorisë 4 me erëra prej të paktën 209 kilometrash në orë.

Stuhitë e kategorisë 4 janë të afta për dëme katastrofike - shkatërrimin e shtëpive dhe dyqaneve, prishjen e rrugëve dhe rrëzimin e pemëve apo linjave elektrike.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke i hapur rrugën vendosjes së trupave të Gardës Kombëtare nëse është e nevojshme.

Presidenti i SHBA Donald Trump ka anuluar një vizitë të planifikuar në Poloni për "të siguruar që të gjitha burimet e qeverisë federale të përqendrohen në stuhinë që po mbërrin ... është shumë e rëndësishme për mua të jem këtu," tha ai të enjten.

Presidenti zotëron disa prona në Florida, duke përfshirë vendpushimin Mar-a-Lago në Palm Beach dhe Trump National Doral në Majemi, të cilin ai e ka sugjeruar si një vend të mundshëm për samitin e G-7 të vitit të ardhshëm.

Banorët përgjatë Bregut Atlantik të Floridës u është thënë që të qëndrojnë gati për një evakuim të mundshëm. Ata po mbushin rezervuarët e tyre të benzinës dhe po grumbullojnë ushqime, ujë dhe furnizime.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG